Jo pak punonjës të administratës së shtetit, të spitalit, të zjarrfikësve, bashkisë, prefekturës, policisë, ujësjellësit, etj, janë ndjerë “ziliqarë” për punonjësit e OSHEE-së, të cilët pas tri vjetësh kanë marrë pagën e 13-të që iu takon me ligj.

Paga e 13-të u është kredituar punonjësve pasditen e 23 dhjetorit, në bankë. Por një lajm i tillë, fillimisht nuk është besuar nga punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, që janë dyndur para bankomateve për të verifikuar, që kjo nuk ishte një shaka. Vërtet që nuk ishte shaka, por një lajm i mirë, që duhet të ndiqet edhe nga institucionet e tjera të shtetit, pse jo edhe nga privati.

OSHEE- ja prej tri vjetësh nuk u jepte pagë të 13-të, e as shpërblim punonjësve të saj, pavarësisht se në 2014-n ndodhi një revolucion i vërtetë, për sa i përket rritjes së të ardhurave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Fiks 261 mijë lekë të vjetër u janë dhënë punonjësve të OSHEE-së si formë shpërblimi apo pagë të 13-të, në mbyllje të vitit kalendarik.

K.H.