Me këngën “Të falem i bukuri Durrës” që e ka shoqëruar gjithë jetën dhe duartrokitjet e artdashësve dhe qytetarëve durrsakë, qyteti i dha lamtumirën e fundit këngëtarit të mirënjohur Qemal Kërtusha.

Mes lotëve të familjarëve, por edhe miqve e shokëve artistë, arkivoli me trupin e të ndjerit doli nga Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” për t’u nisur drejt banesës së fundit ku do të prehet përgjithmonë bilbili i këngës durrsake.

Figura të njohura të artit dhe kulturës, personalitete të jetës politike dhe publike në Durrës morën pjesë në homazhet në nderim të Kërtushës.

Për shumë nga emrat e njohur të artit në Durrës, Qemal Kërtusha nuk ishte vetëm një këngëtar lokal, por potenciali i zërit dhe talentit të tij i kaloi kufijtë e qytetit për t’u bërë i njohur në të gjithë vendin.

Ndërkohë, Sulltane Vrami, anëtare e Shoqatës së Veteranëve Durrës tregoi një tjetër aspekt të jetës së Kërtushës, angazhimin e tij personal gjatë viteve të luftës nacional-çlirimtare, si pjesë e debatikasve, duke shpërndarë trakte nëpër qytet.

Qemal Kërtusha u lind më 27 tetor të vitit 1931 në Durrës dhe u nda nga jeta një ditë më parë. Që në moshë të re ai u përfshi në lëvizjen amatore artistike të qytetit dhe u bë anëtar i filarmonisë shqiptare dhe ansamblit të ushtrisë.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Në vitin 1968 iu akordua titulli “Artist i Merituar”, ndërsa në vitin 2008 iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.

M.B.