Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, rikthehet këtë javë në Strasburg pas një vere jashtëzakonisht të vështirë, veçanërisht për vetë atë, për të mbajtur fjalimin e saj të përvitshëm mbi Gjendjen e Bashkimit Evropian (i njohur si SOTEU – State of the European Union), përpara një audience mjaft të zemëruar: anëtarëve të Parlamentit Evropian.

Shumë eurodeputetë, nga grupe të ndryshme politike, janë realisht të irrituar me presidenten e Komisionit dhe pritet që ajo të përballet me kritika të shumta dhe të larmishme.

Disa prej tyre do ta akuzojnë për marrëveshjen tregtare të arritur me Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trump-it.

Të tjerë, madje edhe nga grupi i saj politik, Partia Popullore Evropiane, do ta kritikojnë për marrëveshjen tregtare me vendet e Mercosur-it (Argjentinë, Brazil, Paraguaj dhe Uruguaj), e cila, sipas tyre, dëmton interesat e fermerëve dhe blegtorëve evropianë.

Qëndrimet e saj ndaj situatës në Gazë dhe në Ukrainë kanë nxitur gjithashtu pakënaqësi të mëdha mes eurodeputetëve, ndërsa lista e ankesave vazhdon të zgjatet.

Von der Leyen pritet të mbrojë vendimet e saj të diskutueshme, ndërkohë që do të prezantojë edhe planet për hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë instrumentet për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë evropiane, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së, si dhe rritjen e rolit të saj si partner tregtar në skenën ndërkombëtare.