Në Durrës besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit.

Që në orët e para të mëngjesit, ata i janë drejtuar Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, por edhe në të gjitha objektet e tjera të kultit islam në qytetin bregdetar ku në orën 06.15 kryen faljen e kësaj dite të shenjtë.

Gjatë mesazheve të rastit që u përcollën për besimtarët e pranishëm, u theksua rëndësia shpirtërore e kësaj dite duke ftuar besimtarët që të largojnë mendimet, veset e këqija, padrejtësitë ndaj të tjerëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve. Një mesazh i veçantë u dha dhe për ata që testohen me varfëri e sëmundje.

Pas faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe përqafime, duke shkëmbyer mesazhe dashurie, paqeje dhe solidariteti.