Shtetet e Bashkuara por edhe gjithë bota, kujtojnë ditën e sotme sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Kanë kaluar 17 vite nga tragjedia që i mori jetën rreth 3000 mijë personave, teksa familjarët e tyre me dhimbje kujtojnë çastet e fundit që kanë biseduar me të afërmit e tyre.
Disa minuta para se avioni “United Airlines Flight 175” të përplasej në Qendrën Tregtare Botërore, një pasagjer la një mesazh zanor për gruan që kishte lënë në Massachusetts.
“Jules, jam Brian. Dëgjo, jam në një aeroplan që është rrëmbyer”, tha BRIAN SWEENEY, 38-vjeçari këshilltar i aeronautikës dhe ish pilot i Marinës.
“Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, dhe duket se nuk janë mirë, dua që ju të dini se unë absolutisht ju dua shumë. Unë dua që ju të bëni mirë, të keni kohë të mira. E njëjta gjë vlen edhe për prindërit e mi dhe të gjithë… unë ju dua krejtësisht … dhe do t’ju shoh kur të arrini atje. Mirupafshim zemër. Shpresoj t’ju telefonoj”.
Sweeney mori në telefon edhe nënën e tij, për t’i thënë sa shumë e donte dhe i tregoi asaj se pasagjerët po planifikonin të luftonin.
“Ata mund të kthehen këtu. Mund të duhet të shkoj. Ne do të përpiqemi të bëjmë diçka për këtë”, ishin fjalët e fundit të tij.
Tre minuta më vonë, avioni u përplas në katet e larta të Kullës së Jugut.
MELISSA DOI ishte një studente e diplomuar në universitetin e Northwestern, e cila ëndërronte të bëhej balerinë dhe punonte si menaxhere pranë “IQ Financial Systems”. Ajo telefonoi 911 nga kati i 83 i një nga kullat.
Doi: Është shumë vapë. Unë shikoj… unë nuk shikoj asgjë, nuk shikoj as ajër asgjë.
911: Ok…
Doi: Gjithçka që shikoj është tymi.
911: OK e dashur, Më vjen keq, prit një sekondë, qëndro e qetë me mua, qëndro e qetë, më dëgjo, , thirrja është në linjë, po e dokumentoj, prit një sekondë lutem …
Doi: Unë do të vdes, apo jo?
911: Jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo, thuaj lutjet e tua.
Doi: Unë do të vdes.
911: Duhet të mendosh pozitivisht, sepse duhet të ndihmoni njëri-tjetrin të zbrisni nga kati.
Doi: Unë do të vdes.
911: Shiko… qëndro e qetë, qëndro e qetë, qëndro e qetë, qëndro e qetë.
Doi: O Zot të lutem …
KEVIN COSGROVE ndodhej në katin e 105-të të së njëjtës ndërtesë, kur telefonoi shërbimin e emergjencës nga një zyrë në orën 9.54. Cosgrove, 46-vjeça dhe baba i tre fëmijëve u bllokua në zyrë bashkë me kolegun e tij Doug Cherry, duke u përpjekur të merrnin frymë përmes tymit të zi.
Cosgrove: Zonjë, jemi dy persona në këtë zyrë. Ne nuk jemi gati të vdesim, por situata po përkeqësohet.
911: Ne po vijmë aty.
Cosgrove: Nuk duket ashtu, unë kam fëmijë. Ka shumë tym.
911: Qëndroni të ulur dhe ne do të vijmë tek ju sa më shpejt që të mundemi.
Cosgrove: E di që ka shumë persona në ndërtesë, por ne jemi në maj të saj. Edhe tymi po shtohet. Mezi po marr frymë tani, nuk mund ta shoh. Është me të vërtetë shumë keq. Ne jemi të rinj, nuk jemi gati për të vdekur.
911: Alo?
Cosgrove: Alo … jemi tre persona tani, dy dritare të thyera … Oh Zot – oh!
Thirrja e tij telefonike përfundoi papritmas, me britmat dhe zhurmat që dëgjoheshin në sfond, teksa telefonata u ndërpre…
Këto mesazhe zanore janë më drithëruesit që vizitorët në muzeun e 9/11 të Nju Jork mund të dëgjojnë përmes telefonave të vendosur në mur.
Atje gjenden fjalët e fundit të pasagjerëve, ekuipazhit dhe punonjësve që ishin 2996 personave që ndërruan jetë kur terroristët rrëmbyen avionin dhe e përplasën atë me Kullat Binjake, Pentagonin dhe fushën pranë Shanksville te Pensilvanisë.
Zërat e tyre përcjellin frikën në momentin që ata kuptuan se me shumë mundësi do të vdisnin, si edhe nevojën për të siguruar dhe ngushëlluar të dashurit e tyre.





