31 Maji shënon ditën botërore të luftës kundër pirjes së duhanit.
Së bashku me ndotjen e mjedisit, pirja e duhanit mban vendin e parë si shkaktar i sëmundjes së kancerit, duke marrë jetën e miliona njerëzve çdo vit.
Edlira Ndreu, mjeke pneumologe në spitalin rajonal të Durrësit jep alarmin e shtimit të numrit të duhanpirësve në qytetin bregdetar, rritjen e numrit të femrave duhanpirëse e jo vetëm, por edhe të uljes së moshës së duhanpirësve, duke e renditur këtë fenomen në shqetësimin kryesor të shfaqjes së një sërë sëmundjesh me pasoja të rënda në shëndetin e popullatës.
Duhanpirja është një fenomen që në Shqipëri është në nivelet më të larta dhe përbën një ndër shkaqet kryesore që ka çuar në rritje të sëmundjeve që prekin rrugët e frymëmarrjes, thuajse në 80% të rasteve, apo sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike pohon mjekja pneumologe, Edlira Ndreu.
Numri i meshkujve që konsumojnë duhan ndër vite mbetet konstant, ndërsa femrat shqiptare kanë tendencë rritjeje. Ndërkohë që nuk ekzistojnë dallime të forta në nivelet e duhanpirjes, sipas vendbanimit urban apo rural, apo nivelit të mirëqënies mes personave që kanë krijuar varësi nga duhani.
Mjekja Ndreu shprehet se puna që duhet bërë nga ana e shëndetësisë është mposhtja e faktorëve që çojnë të rinjtë në vesin e keq të duhanpirjes.
Në këtë ditë sinjifikative mesazhi i një 70-vjeçari është shumë i qartë. I gjendur në shtratin e ftohtë të spitalit me sëmundje të rënda, pasi ka konsumuar për më shumë se 50 vjet duhanin, i moshuari ka një apel për të rinjtë: Lini duhanin, jetoni shëndetshëm!
K.H.





