Ndjesia e përfundimit të një viti tjetër shkollor nuk është e njëjtë për ata që do iu duhet t'i thonë lamtumirë bankave të gjimnazit, e t'i përvishen jetës së vërtetë!
Bëhet fjalë për maturantët, të cilët veç etheve të provimeve duhet të përmbajnë lotët për ndarjen nga familja e shkollës së mesme dhe frikën për atë çfarë i pret në tetor, për të cilën kanë dëgjuar shumë nga të tjerët, dhe më në fund po vjen dita ta përjetojnë edhe vetë.
Të rinjtë sot, zgjedhin mënyra nga më të ndryshmet për të festuar mbylljen e një cikli të jetuar me ulje-ngritjet e moshës më të bukur të çdo njeriu.
Për lexuesit e "DurrësLajm", sjellim rastin e nxënësve të klasës XII – B në gjimnazin "Dom Nikoll Kaçorri", në zonën e ish-Kënetës së Durrësit, të cilët në një video teksa valvisin "flamurin e klasës" në ballkonin e shkollës, lëshojnë në qiell tullumbace duke përcjellë një mesazh emocionues.
“Ne zgjodhëm të mos e djegim fatin tonë duke plasur fishekzjarre por të lëshojmë tullumbace në qiell të hapur, për të treguar lirinë dhe vështirësinë që na pret për të arritur në destinacionin final. Të lirë siç jemi edhe ne tashmë me përfundimin e gjimnazit në moshën maxhorene. Njësoj si era mori tullumbacet tona, ashtu edhe ne do na marrë jeta në drejtimet e ndryshme që do zgjedhim. Dikush më lart dikush më afër tokës, ama asnjëri prej nesh nuk do jetë më si sot.”, tregojnë ata për "DurrësLajm".
Gjimnazistët i kanë bashkangjitur videos këngën e Miley Cyrus , "I'll always remember", me një tekst mjaft prekës, që shpjegon siç duhet ndjenjat e maturantëve gjatë këtyre ditëve.
"Është shumë e vështirë të themi lamtumirë
E djeshmja iku dhe duhet të vazhdojmë përpara
Jam kaq shumë mirënjohëse për momentet që kemi kaluar
Kaq falenderuese që ju njoha
Kohët që kemi kaluar bashkë do ti ruaj si fotografi
Do t’iu mbaj gjithmonë në zemër
Gjithmonë do t’iu kujtoj…"
Ashtu siç edhe tullumbacet, urojmë që brezat e ardhshëm të arrijnë sa më lart, të bëhen sa më të denjë për vendin e tyre e nëse "era" do i fluturojë jashtë kufinjve, të mos harrojnë kurrë nga ku u nisën!
G.D.





