Nga Gladiola Busulla

Durrës, 20 nëntor 2013 – 20  Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve. Në fakt, Dita e Fëmijëve njihet në shumë vende të botës. Fillimisht u shpall në vitin 1925 nga Konferenca Botërore si  dita “Për mirëqenien e fëmijëve” , e më pas në vitin 1954  u themelua deklarata universale për t’u kushtuar një ditë  të veçantë kryesisht të drejtave të më të vegjëlve; përveç Ditës së Fëmijëve që tashmë ekzistonte e zyrtarizuar që nga 1 qershori 1950, e krijuar nga Federata Ndërkombëtare e Gruas Demokratike në kongresin e saj në Moskë më 22 nëntor 1949. Ndërsa në Indi, Dita e Fëmijëve festohet më 14 Nëntor.

Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës përmban 54 nene, të miratuara nga Kombet e Bashkuara më 20 nëntor 1989. Origjinali i saj është bërë në gjuhët angleze, arabe, kineze, spanjolle, franceze dhe ruse. Konventa thotë se fëmijët  nuk janë vetëm qenie të brishta që duhet të mbrohen, por mbitheksohet fakti që fëmijët kanë të drejtën për t'u arsimuar, për t’u kujdesur për ta, për t’u mbrojtur,  pvarësisht se në ç’vend të botës kanë lindur. Gjithashtu ata gëzojnë  të drejtën për t’u argëtuar, për të mësuar dhe të drejtën për  t’u zhvilluar shumëplanësisht. Kjo Konventë është shumë e rëndësishme, por a është e mjaftueshme?!  Të drejtat janë reale, vetëm për aq sa aplikohen në praktikë në favor të fëmijëve. Promovimi i të drejtave të fëmijëve është së pari të krijuarit e  kushteve optimal sociale, ekonomike dhe kulturore, (edhe pse tingëllon utopike paksa). Ky është çmimi që të drejtat e fëmijës të respektohen  në të vërtetë. Fëmijët janë e ardhmja e botës, por të drejtat e tyre shpesh shkelen dhe mohohen. Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve, e cila përkujton Konventën e OKB të vitit 1989, synon të mbetet vigjilente kundrejt fëmijëve. Sot më shumë se kurrë është e rëndësishme për të festuar 20 nëntorin dhe për të siguruar të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve  , jo vetëm me shprehje klishe, por duke  konkretizuar gjithçka përmes veprimeve si kundërvënie ndaj indiferencës, dhunës në format e shfrytëzimit, abuzimit dhe diskriminimit. Fëmijët përdoren si punëtorë krahu, përfshihen në konflikte të armatosura, jetojnë në rrugë, vuajnë për shkak të dallimimeve fetare, paragjykimeve raciale, diskriminimeve, paaftësive etj.

Festimi i kësaj dite është një homazh ndaj fëmijërisë. John Kennedy, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara ka cituar me të drejtë, "Fëmijët janë burimi më i vlefshëm i botës dhe shpresa e saj më e mirë për të ardhmen". Ne nuk mund të fshehim faktin se shumë fëmijë nuk marrin privilegjet themelore si kujdesi shëndetësor, kujdesi arsimor apo ngrohtësia familjare. Shumë fëmijë punojnë për bukën e gojës në vend që të luajnë, marrin përgjegjësi shumë herë më të mëdha se supet e tyre të pambrojtura apo persekutohen në forma nga më të ndryshmet.

Thelbi i vërtetë i Ditës së Fëmijëve është për të kuptuar rolin vendimtar që luan fëmijëria(parajsa e humbur) në jetën tonë.Siç thotë Jezusi” Në se s’jeni porsi fëmija, s’mund të hyni në mbretërinë time”. Duhet të ndërgjegjësojmë brezin e ri që shijimi i fëmijërisë së tyre pa kufi është çelësi, për qenë një njeri i formuar në të ardhmen. Dita e Fëmijëve obligon rishikimin dhe përmirësimin e metodave të rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Për ta mbyllur në sintoni me mesazhin e kësaj dite, po i referohem ish-Sekretarit të Përgjithshëm të SHBA-ve, Kofi Atta Annan i cili shprehet se: Asgjë nuk është më e rëndësishme se ndërtimi i një bote në të cilën, të gjithë fëmijët të kenë mundësi të realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe të rriten të shëndetshëm, në paqe dhe dinjitet. (Kofi   A. Annan)