“Unë si personel shëndetësor, sepse pavarësisht se jam në këtë post, në fund të ditës jam mjeke, e përqafoj këtë nismë dhe them se është mjaft e mirë.”

Kështu e nis mesazhin sensibilizues për qytetarët e Durrësit, drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit, Nadire Jani, për vendosjen e detyrueshme të maskës edhe në ambiente të jashtme, si mënyrë mbrojtëse nga infektimi me Covid-19.

Sipas drejtoreshës Jani, duke qenë se virusi është ende i paarritshëm dhe ka pësuar ndryshime të shfaqjes së tij, kryesorja është mbajtja e barrierave mbrojtëse për t’u kujdesur për shëndetin.

“Maskën, dezinfektimi i duarve, distancimi social, këto janë tre gjëra që ne i kemi në dorë dhe nëqoftëse do t’i zbatojmë këto, jam e bindur, si mjeke që jam, që numri i të infektuarve me Covid, patjetër që do të ulet”, thotë ajo.

Por përsa kohë do të na duhet që t’i mbajmë maskat edhe në ambientet e jashtme?

Drejtoresha e spitalit sugjeron që ato të mbahen derisa të përfundojë pandemia, pasi nuk shkaktojnë asnjë lloj problemi për shëndetin, madje e mbrojnë atë.

“Duhet të zgjedhim midis dy gjërave, ruajtja e shëndetit dhe atë që nuk e dëmton atë. Pse të mos i mbajmë pastaj. Më mirë mbajmë një maskë pëlhure, një barrierë mbrojtëse sesa të shkojmë në maskën e oksigjenit.”, u shpreh ajo teksa thekson se në cilat ambiente duhet mbajtur dhe jo maska mbrojtëse.

Më tej, drejtoresha Jani shpjegon edhe mënyrën sesi mbahen ato në fytyrë, duke vënë theksin që përveç gojës duhet mbuluar edhe hunda.

G.D.