Nga Bledi Kasmi

Kryetari i opozitës Basha doli dje në një konferencë për shtyp mbi zhvillimet e fundit që lidhen mbi zbulimin e provave se si krimi i veshur në pushtet ka blerë zgjedhjet pothuajse në të gjithë vendin duke arritur të mbledhë me blerjen e votave deri në 15 deputetë.

Basha tha se përgjimet e fundit të bandave të drogës dhe blerja prej tyre e votave në bashkëpunim me krerët e Bashkive si në rastin e Dakos tregojnë se ky pushtet nuk ka më legjitimitet dhe se për votat nuk vendos më sovrani, por krimi elektoral.

Deklaratat e Bashës kanë një kontekst publik të qartë dhe drejtpërdrejtë. Ato i adresohen shqiptarëve, i adresohen qeverisë si dhe partnenerëve që tani e kanë të qartë se Rama përfaqëson pushtetin e krimit të organizuar përsa kohë ata vetë janë mbledhësit e këtyre provave që dëshmohen me përgjimet.

Megjithatë ka një pikë të rëndësishme në deklaratën e Bashës që ka kaluar pa shumë vëmendje. “Kush kishte pak dyshim, tani e kupton se si bashkëvepron Edi Rama me krimin, për të blerë vota. Krimi i siguron votat Edi Ramës, ky i siguron paprekshmërinë para ligjit dhe pastrimin e parave përmes projekteve private dhe publike”, tha Basha. Kjo deklaratë e Bashës sa është e drejtpërdrejtë po aq është edhe e koduar në mesazhin që jep.

Basha i adresohet një kontigjenti brenda dhe jashtë vendit që deri dje kishin dyshime mbi atë që përfaqëson Rama, të cilët kërkonin më shumë prova në lidhje me akuzat e opozitës. Atëhere koha shërbeu si ilaçi më i mirë për të binduar “ata që ende dyshonin”.

Pjesë e operacioneve të fundit të hetimit të lidhjeve të krimit me politikën nuk janë më vetëm autoritet vendase, por edhe partnerët. Brenda pak javësh katër agjentë të DEA-s amerikane dhe titullarë të lartë të politikës dhe policisë gjermane zbarkuan në Tiranë dhe kishin në duart e tyre dosjen e trafikantëve të drogës, përgjimet ku dilnin lidhjet e tyre me politikën si dhe faktin që duhet të përmbysë qeverinë sepse ajo i ka blerë mandatet.

Basha po u drejtohet atyre që “kishin dyshime” duke i dorëzuar një të kapur në flagrancë krimi. I pari ishte Dako, por ky nuk është i fundit. Të tjerë do të dalin në ditët e ardhshme, ndërkohë topi tani është në anën e “atyre që kishin dyshime” për të qartësuar veten dhe mbi të gjitha qëndrimet ndaj një regjimi mafioz që ka rrëzuar institucionin e votës.

Vetë ata po binden tani për dy gjëra. E para; që Rama është pjesë e një organizate kriminale dhe që e drejton atë nga posti i kreut të qeverisë , dhe e dyta; që po provohet nga ora në orë, është rënia e Prokurorisë në duart e kësaj organizate krimi.

Fjalia e shtruar nga Basha “kush kishte pak dyshim, tani e kupton se si bashkëvepron Edi Rama me krimin” i vendos dyshuesit në një pozitë të vështirë, por nga ana tjetër shtron për zgjidhje urgjente këtë kaplim të krimit në të gjitha institucionet, përfshi Prokurorinë.

Se çfarë do të ndodhë kjo pritet të shikohet në ditët e ardhshme, vetëm se tashmë është e qartë se organizata kriminale në qeveri është e vetme dhe se zgjidhjet nuk do të jenë të lehta.

“Ata që deri dje dyshonin tek Rama” besonin se Rama mund të shtynte edhe disa ditë më shumë në pushtet duke dorëzuar Dakot, por Rama ka rënë në kurthin e tyre duke dëshmuar se Dako nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i tij. Ai ja ka bërë të qartë “dyshuesve” se për të arritur tek Dako duhet kaluar mbi trupin e shefit të tij në qeveri.

Dhe kjo pritet të ndodhë.