Aurela Gaçe njihet për natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe të vërtetë. Si e tillë, ajo gjithnjë e thotë mendimin e saj pa filtra.
Në një intervistë te “Rudina”, ajo u ndal te pamja e saj në skenë që gjithnjë ka ardhur si kameleon duke eksperimentuar dhe asnjëherë njësoj. Me shembuj të përjetuar, këngëtarja shpjegoi domethënien e këngës dhe përçoi një mesazh të fuqishëm, ndërthurur edhe me humorin e saj karakteristik.
“Jam shumë e lumtur që nuk kam dëgjuar asnjë njeri që më thoshte “përmbahu, rriti flokët, bëhu pak më ashtu, vish fustan”. Jo! Dhe sa mirë që nuk kam dëgjuar. Kënga “Unike” është fiks çdo këshillë që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve por unë e ndiej këtë gjë edhe tek fëmijët, tek vajzat e mia që kanë atë… “dua të dukem mirë e më shikojnë njerëzit, dua t’i kreh flokët, jo kështu se më shan shoqja”, pra vetvetiu mua më kthehen pas të gjitha ato këshillat që të japin njerëzit për të qenë mjaftueshëm në sytë e tyre. Ndërkohë secili nga ne është mjaftueshëm siç e ka krijuar Zoti. Mjafton ne të jemi plot nga brenda. Unë e di, nuk jam perfekte, askush nuk është perfekt, por njerëzit ta vënë në dukje gjithmonë. “Shumë bukur këndon, por dobësohu pak. Shumë bukur këndon, por holloje një çikë belin. Shumë bukur këndon, por rrite një çikë atë” (bën me shenjë nga gjoksi). Më fal, unë jam plot këtu dhe këtu (tregon kokën dhe zemrën). Unë, domethënë të gjithë ne. Por vërtet e kam, dua t’u fus vajzave të mia, gjithë atyre vajzave që më ndjekin, çunave sepse jam e bindur që edhe çunat ndihen të bullizuar ose jo mjaftueshëm në shoqëri. Ne kur kemi çfarë themi jemi interesantë vetë, nuk ka nevojë ta kem shalën 2 metra për të qenë interesante.”