Te skuadra e Teutës, pritet të ketë zhvillime në ditët në vijim, pasi do të ketë një mbledhje mes presidentit Hasanbelliu dhe zv.presidentit Adrian Bardhi ku do të diskutohet në lidhje me të ardhmen e skuadrës durrsake.Gjithashtu, trajneri Magani së bashku me drejtuesit do të nisë punën për përzgjedhjen e lojtarëve që do të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ri.Çdo repart ka nevojë për përforcime, ndërkohë që në portë mund të rikthehet portieri Vata, i cili ka qenë pjesë e Laçit dhe ka dhënë garanci.Gjithsesi, alternativë e mirë mbetet edhe Kastrati.

Ndërkohë, në mbrojtje ka gjithashtu nevojë për ndërhyrje, pas largimeve më të fundit.Sipas të gjitha gjasave, me skuadrën do të shohim sërish Prognin, që në sezonin e sapombyllur ishte një lider i vërtetë. Në mesfushë pritet të rinovojnë edhe Çyrbja, Hila e Tarik.Ajo që drejtuesit dhe trajneri Magani kërkojnë është një sulmues pykë që të mbajë peshën e skuadrës. Deri në këto momente ka pasur shumë alternativa, por ende nuk ka pasur diçka konkrete.Megjithatë pritet që zyrtarizimet e para të jenë para datës 15 të këtij muaji. Strategjia e klubit do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë të rinjve të akademisë, që do të kenë më shumë hapësira.Edhe, në fundin e sezonit të kaluar, trajneri Magani ka afruar disa prej tyre në skuadrën që ai drejton.