Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo pasi, përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë e grupit në favor. Mesfushori i bluve, Ergys Peposhi, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur dhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Skënderbeut në Korçë, një transfertë mjaft e vështirë, ku kanë ngecur edhe ekipet pretendente për titullin kampion.
A po ju shërben ndërprerja dhe si është gjendja e ekipit?
Kjo ndërprerje ishte perfekte për lojtarët që nuk ishin ende në formën më të mirë, pasi po u jepet mundësia dhe kohë që të rimarrin veten pas ndeshjes së fundit. Mendoj se deri diku po na shkon përshtat kjo pauzë. Sa i përket gjendjes, mund të them se jemi në formë shumë të mirë. Të gjithë çunat janë duke u stërvitur me dëshirë dhe pasion.
Rikthehet kampionati pas një jave për Teutën. Çfarë prisni nga kjo ndeshje ndaj Skënderbeut?
Pres vetëm që të fitojmë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të rikthehemi te fitorja dhe të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive.
Duke qenë se keni pësuar shumë gola në 12 javë, a do të ishit i kënaqur me një fitore apo barazim pa pësuar gol?
Unë do të isha i kënaqur nëse do të bëjmë një ndeshje të mirë dhe nëse do të fitojmë. Rëndësi ka që të shënojmë gola, edhe pse dihet që është një ndeshje që ka specifikën e saj. Gjithsesi, e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do të ishte sikur të triumfonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe që të pësosh. Është një takim i fortë, ku pritet çfarëdolloj rezultati.
Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?
Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi ku jemi në kampionat nuk i shkon përshtat Teutës.