Teuta rikthehet të shtunën në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Tiranës. Ditën e djeshme, blutë kanë vijuar përgatitjet anti-Tirana, ku Teuta do të kërkojë suksesin. Mesfushori Muço Boçi shprehet se ndaj bardhebluve do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai ka besim tek ekipi i tij që do të arrijë të marrë më të mirën.
Vijoni përgatitjet për duelin ndaj Tiranës. Çfarë prisni?
Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes, duam ta vijojmë me rezultatet pozitive ndaj Tiranës, por çdo ndeshje është një histori më vete. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe jemi në gjendje të mirë. Po shohim dhe mendojmë pozitivisht për këtë ndeshje. Dhe, siç e thatë edhe ju, nuk është e lehtë.
Keni presion për të marrë pikë ndaj Tiranës?
Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin, por jemi të qetë. Me presion, shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur dhe aspak presion. Jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.
Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Laçin?
Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti, që e do ekipin dhe kërkon të jetë gjithmonë lart në renditje.
Sa i fortë është ekipi juaj dhe sa e dobët është Tirana?
Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Tiranën mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët pavarësisht gjendjes që po kalojnë.
Ju kënaq edhe një pikë të shtunën?
E thashë edhe më lart. Ne do të luajmë për tri pikët, pastaj 90 minutat i kanë të trija rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe, si një pikë apo tri pikë, secila kanë rëndësinë e vet.