Teuta, përpos se arriti të siguronte qëndrimin në Superiore, në javën e fundit kishte shansin e artë për Europën, pasi mposhti në sfidën e fundit Dinamon me shifrat 1-0. Jo gjithçka ishte në dorën e bluve një sezon larg pritshmërive për djemtë e detit, mesfushori i Teutës, Ergys Peposhi, shprehet se ndihet i keqardhur që ekipi nuk arriti Europën, por i kënaqur që sezoni u shpëtua duke shmangur “play out”.
Si do e komentoni këtë sezon për Teutën, a ishte shumë i vështirë?
Mendoj që skuadra është munduar në një sezon shumë të vështirë, shumë i luftuar nga të gjithë skuadrat. Një sezon që do ta quaja shumë të veçantë, pasi të gjitha skuadrat ishin shumë të organizuara dhe mendoj se skuadra ka bërë çdo gjë për të shpëtuar dhe ia arritëm. Çunat kanë dhënë gjithçka, janë munduar, por kuptohet që kemi pasur edhe luhatje, çfarë është e vërteta.
Sa keqardhje keni që vetëm në ndeshjen e fundit nuk arritët Europën?
Kemi vuajtur shumë gjatë sezonit, por ndoshta edhe disa ndeshje që kemi lënë pikë na kanë vënë në vështirësi. Objektivat në fillim të sezonit ishin për katër vendet e para. Nuk ndihem mirë se nuk e kemi arritur objektivin, pasi ne e bëmë detyrën në javën e fundit, por s’ishte në dorën tonë, por ndihemi mirë që bashkë me skuadrën ia dolëm të shpëtojmë.
Si ishte ky sezon në aspektin personal?
Ishte një sezon i mirë, pasi mendoj se kam bërë mirë, por ka ende vend për përmirësim. Mirëpo, perfektja do të ishte që ato pikë që rikuperuam të na shpërblenin përpjekjet. Jam shumë i keqardhur që nuk ia dolëm për Europën. Do të ishte sezoni perfekt nëse do të ndodhte.
E mendonit se gjërat mund të shkonin kaq keq?
Mendoj se gjërat shkuan keq në fillim, por gjithmonë kisha bindje që ky grup mund të arrinte shumë sepse e kishte forcën,kualitetin e me pak fat mund ta mbyllnim më mirë sezonin.
Çfarë note do i vendosnit Teutës në sezonin që sapo u mbyll?
Nota për Teutën, është 8. Nisëm një sezon shumë të dobët, por bëmë një mbyllje ta jashtëzakonshme, ku asnjëri nuk besonte që ne mund të arrinim edhe Kupat e Europës. Ato pikë të lëna disa javë më parë na hoqën atë mundësi për të kapur atë objektiv.