Mesfushori, Xhoele Maçolli, beson te Teuta për sezonin e ri. Ai thekson, se “Djemtë e detit” nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizojnë objektivat e përcaktuara qartë. “Atmosfera pozitive është çelësi i suksesit”, shprehet lojtari.

Xhoele, si paraqitet gjendja e ekipit pas 6 ditësh përgatitje? 

Kushtet janë shumë të mira, temperaturat janë normale. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe me nga dy seanca stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe kryesorja, nuk kemi dëmtime.

Keni zhvilluar një miqësore, si e keni parë?

Këto miqësore janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur si duhet. Deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Ku mendoni se Teuta ka nevojë ende për përforcime? 

Po punojmë me seriozitet dhe se a ka nevojë apo jo për përforcime, e dinë drejtuesit që kanë bërë analizën e duhur se ku çalon ekipi. Shpresojmë të kemi përforcime që të bëjnë diferencën dhe një ekip konkurrues për sezonin e ri.

Çfarë objektivi ka Teuta ketë sezon?

Pretendimet tona janë të bëjmë sa më mirë. Teuta çdo vit futet me pretendime në garë.Nuk duhet të shohim ekipet kundërshtare, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Shpresoj të bëjmë përforcimet e duhura nëse ka nevojë skuadra. Nuk na duhet një fryrje, na duhen vetëm përforcime të mirëmenduara. Kështu do e kemi rrugën e hapur drejt sukseseve të mëdha.

Tashmë jeni njohur dhe me shortin, mendoni se do ta nisni mbarë sezonin?

Ndeshja e parë do të jetë ajo përballë Dinamos dhe nuk do ta kemi të lehtë. Gjithsesi, fakti që luajmë në shtëpinë tonë është shumë pozitiv. Ne do të vlerësojmë çdo kundërshtar, pasi vetëm kështu mund të marrim maksimumin.