Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo, pasi përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet për sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Mesfushori i bluve, Ergys Peposhi, ka analizuar gjendjen e grupit, ndërsa ka shprehur edhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Skënderbeut.
Ergys, sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?
Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Skënderbeut.
Si është gjendja e skuadrës para këtyre dy sfidave të javës që vjen?
Jemi të kënaqur me paraqitjet që ka bërë skuadra, si në seancat stërvitore ashtu edhe në ndeshje. Por, në tërësi jemi mirë. Kemi bërë mirë në përgjithësi, përjashto disa luhatje që janë të pranishme në sport dhe kjo ecuri na jep shpresë për të arritur objektivin që kemi.
Sa e vështirë do të jetë përballja me Skënderbeun?
Është një skuadër që, pavarësisht mungesës së pikëve, kanë bërë lojëra të mirë dhe normale do të jetë e vështirë. Kanë lojtarë të mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe korçarët kanë pika jo të forta. Të enjten nuk do ta marrim ndeshjen me stres dhe do të hyjmë me qetësi në fushë.
A e keni gjetur ritmin e duhur te Teuta?
Unë e kam zakon të them: si punon, ashtu të kthehet. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.
Ju kënaq një pikë apo synoni me çdo kusht fitoren?
Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë. Një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim ndaj Skënderbeut.
Ndeshjet në vijmë bëhen gjithnjë e më delikate. A i përballon Teuta?
Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë, ajo që vlen është që të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikët e plota. Në çdo ndeshje duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të shohin të gjithë. Ekipi është përgatitur për të treguar maksimumin e vet dhe për të dhënë 100%.