Pas përfundimit të mini-fazës përgatitore, Teuta po hyn në një periudhë të rëndësishme të sezonit, ku vëmendja zhvendoset te ndeshja e Kupës së Shqipërisë ndaj Vorës në Durrës. Një nga lojtarët më me eksperiencë të skuadrës, mesfushori Emiliano Vila, flet për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, atmosferën në ekip dhe pritshmëritë për sfidën që vjen.
Emiliano, si ka qenë kjo minifazë përgatitore për ekipin?
Ka qenë një periudhë shumë pozitive. Stafi teknik ka punuar shumë me ne, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik. Synimi ka qenë që të rikthehemi me ritmin e duhur dhe të rrisim intensitetin në fushë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.
Sa e rëndësishme ishte kjo periudhë për të gjetur harmoninë në skuadër?
Shumë e rëndësishme. Mini-fazat përgatitore shërbejnë që skuadra të lidhet më shumë, të korrigjojmë gabimet dhe të përmirësojmë mekanizmat e lojës. Kemi punuar shumë mbi bashkëpunimin mes repartit të mesfushës dhe sulmit.
Si e vlerëson konkurrencën brenda ekipit?
Konkurrenca është gjithmonë pozitive. Të gjithë luftojmë për një vend në formacion, por mbi të gjitha mendojmë për interesin e ekipit. Kjo na bën më të fortë.
Tani ju pret ndeshja e Kupës së Shqipërisë ndaj Vorës në Durrës. Si e shikon këtë përballje?
Është një ndeshje e rëndësishme dhe nuk duhet ta marrim asnjëherë lehtë. Kupa gjithmonë rezervon surpriza, ndaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Respektojmë Vorën, por synimi ynë është kualifikimi.
Çfarë pret nga skuadra në këtë ndeshje?
Pres të tregojmë fytyrën tonë më të mirë. Të luajmë me intensitet, të mbajmë topin dhe të krijojmë raste. Nëse bëjmë lojën tonë, rezultatet do të vijnë.
Personalisht, si ndihesh fizikisht dhe emocionalisht?
Ndihem shumë mirë. Kam punuar fort dhe jam gati të jap maksimumin për ekipin. Kur luan për Teutën, motivimi është gjithmonë i lartë.





