Në javën e 8-ë të Superiores Egantia do të presë në “shtëpi” Teutën. Përpara sfidës, trajneri i Teutës Bledi Shkëmbi dhe mesfushori Erando Karabeci kanë dhënë një konferencë për mediat.

Ky i fundit është shprehur se ekipi duhet të marrë fitoren e parë për tu çliruar nga gjendja e rënduar psikologjike. Ndër të tjera ai u shpreh se nuk duhet të luftojnë për mbijetesë, por për tu renditur sa më lart në kampionat.

Erando keni shënuar dy super gola, a keni ruajtur ndonjë për Egnatian?

E rëndësishme është që të shënojë ekipi dhe goli të jetë në vlerën e tre pikëve. Ne shpresojmë që të shënojnë të gjithë sulmuesit pasi duhet të çlirohen duke qenë se ekipi është i rënduar psikologjikisht. Kjo ka ndodhur pasi ne nuk kemi pasur rezultatet e duhura edhe pse kemi zhvilluar lojëra të mira dhe atëherë kur kemi humbur përqëndrimin jemi ndëshkuar. Nuk ka rëndësi nëse shënon sulmues apo mbrojtës, rëndësi ka fitorja.

Pse Teuta nuk ka arritur ende fitoren e parë, çfarë i mungon?

Mendoj që gjendja psikologjike pasi ka ndikuar tek morali i ekipit, në momentin që ekipi do të marrë fitoren e parë atëherë do të jenë më të lirshëm që të shprehen në fushën e lojës.

Si e parashikoni ndeshjen nga Egnatias dhe sa shanse mendoni se keni për të dalë me 3 pikë?

Që të jem i sinqertë në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira, pasi të gjitha janë të vështira. Duhet ti bësh hysmetin kundërshtarëve, dhe Eganatia ka një ekip të mirë. Këtë e ka treguar me investimet që ka bërë dhe rezultatet që ka arritur duke i hapur probleme cdo ekipi kështu që për ne do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të luftojmë që të dalim me pikët maksimale. Pozitive është që fusha e Egnatias është në kushte optimale për të zhvilluar ndeshjen dhe për të dhënë më të mirën që kemi punuar gjatë javës.

Fakti që ndodheni në fund të renditjes ju rëndon gjendje psikologjike?

Është paksa problem sepse normale që ndikon, por ne futbollistët që jemi me eksperiencë shpresojmë të ndihmojmë edhe djemtë e rinj që të kalojnë këtë ngërç dhe në momentin që do të marrim fitoren do të ndjehemi më mirë.

Teutën e shikoni në garë në vendet e sipërme apo do të luftoni për mbijetesë këtë sezon?

Teuta duhet të marrë maksimumin në çdo ndeshje, për ne beteja është ndeshja e radhës. Ne nuk duhet të luftojmë për mbijetesë, por që të arrijmë sa më lart dhe për këtë gjë duhet të japim maksimumin tonë.