Teuta është e “dënuar” të fitojë ndaj Laçit, pasi kërkon me çdo kusht të dalë sa me shpejt nga zona “play out”. Mesfushori i Teutës, Matias Lloci, para ndeshjes së javës së 34-t ndaj Laçit, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
Pas barazimit me Dinamon, si e shihni tashmë Teutën?
Përpos atij barazimi, morali është i lartë dhe besoj se është kështu. Ekipi është gati dhe jemi më të motivuar. Sigurisht që këtë javë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, për vetë faktin se duhet fitojmë dhe të jemi brenda objektivave.
A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive?
Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar. Patjetër rezultatet e mira sjellin dhe një gjendje më të mirë psikologjie, por nuk na mbetet gjë tjetër duhet të vijomë me këtë lojë të mirë dhe rezultate të mira, duke filluar që nga sfida përballët Laçit.
Çfarë ndeshjeje prisni ndaj kurbinasve?
Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.
Si e shini Laçin, pasi ka bërë shumë ndryshime?
Jemi të vetëdijshëm që është një skuadër që ka bërë mirë, skuadër e fortë që ka në përbërjen e saj elementë të rëndësishëm. Ne kemi objektivat tanë dhe do të synojmë më të mirën.
Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?
Jemi ende herët për të dhënë verdikte ku mund të arrijmë. Tani nisi faza e ndeshjeve më të vështira në kampionatit. Unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi. Tej të gjithave, na pret një ndeshje e vështirë me Laçin dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses.