DURRES, 12 shkurt 2013– Mesfushori i Teutës, Emiljano Veliaj, ka pohuar për Agjensinë e Lajmeve "DYRRAH" se fitorja që ekipi i tij mori ndaj Shkumbinit, është vetëm hapi i parë që nënkampionia e vjetshme ka hedhur në luftën për titull. Fitorja e djemve të detit ndaj peqinasve merr kuptim edhe më tepër pas humbjes së Skënderbeut. Diferenca mes dy kryesueseve të ligës superiore tashmë është ngushtuar edhe më, duke arritur në 7 pikë, që sipas durrsakasve nuk janë një pengesë e pakapërcyeshme.
Veliaj theksoi se në ndeshjen e fundit skuadra zhvilloi një 90 minutësh të përkryer, që u finalizua me një fitore të pastër. “Skuadra ishte e destinuar vetëm për ta fituar këtë ndeshje dhe ne bëmë detyrën që na takonte. Gjatë kësaj ndeshje skuadra nuk bëri gabime, ndërsa konfirmoi se ishte më e konsoliduar se kurrë. Pas humbjes në Kupë dhe paraqitjeve të dobëta në miqësore i gjithë ekipi ka tani më tepër besim dhe siguri në hapat që do të hedhë në të ardhmen. Ishim rreshtuar mjaft mirë në fushë dhe kjo ia vështirësoi së tepërmi gjërat kundërshtarit, i cili e pati shumë të vështirë të gjente hapësira”,- pohoi mesfushori Veliaj.
Ashtu si dhe shokët e tjerë të skuadrës Veliaj është i bindur se Teuta ka kualitetet e nevojshme dhe mundësitë për të synuar dhe fituar kampionatin në fund të kësaj faze. Vitin e kaluar durrsakët e humbën kampionatin vetëm në ndeshjet e fundit, kur përgjatë gjithë ecurisë së tij ishin skuadra favorite për fitimin e trofeut.
Teuta edhe ndeshjen e kësaj jave, kundër Luftëtarit, e luan në shtëpi dhe kjo duket se e lehtëson edhe më shumë punën për djemtë e Gugashit. Megjithatë Valiaj shprehet se duhet të tregohen të kujdesshëm dhe jo euforikë.
“E kemi nisur mjaft mirë fazën e dytë, ku përveç fitores së arritur ndaj Shkumbinit, jo më pak pozitiv ishte për ne edhe humbja e Skënderbeut. Gjithsesi, kjo i përket të kaluarës, ndaj tani duhet të shikojmë përpara dhe të mendojmë për të fituar ndeshjen e radhës. Përpara kemi një kundërshtar si Luftëtari, i cili po përpiqet të qëndrojë mes skuadrave më të mira. Megjithatë, gjatë kësaj jave ne do të përqëndrohemi tek kjo sfidë dhe do të përgatitemi për ta fituar atë”,- tha mesfushori Veliaj.