Besimtarët ortodoksë të Durrësit, për shkak të kufizimeve për shkak të pandemisë, nuk do të mund të ndjekin mesnatën e sotme meshën për ringjalljen e Krishtit, por ajo do të zhvillohet në orën 07.00 të së dielës.
At Spiro Kostoli thotë për “DurrësLajm” se dhe prania e besimtarëve në “Apostull Pavli dhe Shën Asti” do të jetë më e kufizuar ditën e nesërme, për të evituar grumbullimet e mëdha.
Ndërkohë, në urimin e tij drejtuar besimtarëve, at Kostoli thotë:
“Pikërisht kjo shpresë dhe ky gëzim që buron nga Krishti i ringjallur është një shpresë dhe kurajo për të gjithë njerëzit që edhe këto kohë të vështira të mundemi të gjejmë energjinë dhe forcën e duhur tek zoti dhe tek besimi që t’i kapërcejmë këto momente të vështira dhe jeta jonë t’i kthehet normalitetit. Prandaj me këtë urim, Krishti u ngjall dhe vërtet u ngjall i uroj të gjithë të krishterët që e festojnë të kremten e Pashkës dhe mbarësi e shëndet të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Gëzuar dhe për shumë vjet”.





