Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, “Meshari” i Gjon Buzukut do të ekspozohet në muajin nëntor në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Libri i parë i gjuhës shqipe, i njohur deri tani, qëndron prej shumë kohësh në arkivin e bibliotekës së Vatikanit, ndërkohë që një kopje e tij është depozituar pranë bibliotekës kombëtare. Për librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, studiues të ndryshëm si Eqerem Çabej, Nuhi Ismaili, Robert Elsie, Don Nikë Ukgjini etj kanë botuar studime të hollësishme që mundohen të hedhin dritë mbi shumë aspekte gjuhësore të librit në fjalë, vlerat e tij letrare si dhe arsyet që e shtynë Buzukun të shkruante një meshar në gjuhën shqipe. Nëse do t’i referohemi periudhës kur u shkrua dhe u botua libri i Buzukut (në shekullin e XVI-të), vlen të nënvizohet fakti se kisha katolike e Romës po ballafaqohej me një shthurje të brendshme dhe kërkesën e vazhdueshme të priftërinjve anembanë vendeve, ku ushtronte ndikimin e tij Vatikani që shërbesat fetare të kryheshin në gjuhën amtare.

Në shekuj XV-XVI-të, shumë shtete perëndimore po përcaktonin kufijtë e tyre shtetërorë e bashkë me përcaktimin e kufijve nisi të theksohet gjithnjë e më shumë, si një domosdoshmëri e kohës, ndarja nga Kisha Katolike e Romës. Nga ana e tij, Papati po përballej me akuza të shumta për shkak se papët e kësaj periudhe ishin mbyllur në guaskën e tyre duke zbukuruar selinë e shenjtë dhe Vatikanin me vepra artistike, ndërkohë që problemet me të cilat përballeshin besimtarët anembanë Europës dukej se nuk i preknin fare klerikët e lartë. Në vitet 1431-1513, Vatikani ishte kthyer në qendrën e humanizmit dhe kulturës botërore, por pikërisht në këtë periudhë kur kisha kishte arritur kulmin e saj, nisi të përvijohej, të merrte formë e më pas të kthehej në realitet reformimi i  Kishës Katolike. Tronditja e themeleve të Vatikanit u pasua me përçarjen e themeleve të besimit fetar. Nëse deri në atë kohë ekzistonte vetëm një kishë dhe kjo ishte ajo e Romës, tashmë me reformën e gjithanshme në fushën e besimit, mendimi kishtar në aspektin dogmatik e liturgjik nuk ishte më unik, por u nda përveç kishës katolike dhe në atë luteriane, protestante, kalviniste, heretike etj. I vendosur përballë kësaj trysnie gjithnjë në rritje, Vatikani vendosi të organizonte Koncilin e Trentit (i mbajtur në tre periudha kohore 1545-49, 1551-52, 1561-63), i cili do t’i hapte rrugën demokratizimit të kishës katolike, por në formën që urdhëronte papa e jo sipas vullnetit të lirë të kishave respektive në vende të ndryshme europiane. Pikërisht në një periudhe të tillë historike u botua “Meshari”. Siç nënvizon Dr. Don Nikë Ukgjini në kumtesën e tij “A është libër liturgjik kishtar “Meshari” i Buzukut?”, mbajtur në datë 18.11.2005, në seminarin e organizuar me rastin e 450-vjetorit të botimit të  “Mesharit” – Koncili, duke u ballafaquar me idetë e reformës protestante dhe për të justifikuar mësimet dogmatike, botimet e teksteve liturgjike si: Breviarit Romak (lutja zyrtare e orëve) në vitin 1568 dhe të Mesharit në 1570 (libri i kremtimit të Meshës së shenjtë), vendosi në formë të prerë që t’i mbante nën kompetencën e Selisë së Shenjtë dhe të jenë në gjuhën latine dhe jo në atë vendore, në krahasim me Biblën, tekstet rituale dhe ato katekistike që lejoheshin të përktheheshin në gjuhën vendore të mbikqyrura nga ipeshkvijtë vendorë. – Vatikani nuk ishte i predispozuar të toleronte shkrimin e librave të lutjeve në gjuhët amtare, pasi me kalimin e kohës u konstatua se tekstet e përkthyera kishin ndryshime nga origjinalet e shkruara në latinisht.

Nëse do të lejohej përkthimi ai do të miratohej më parë nga Kisha dhe do të mbikëqyrej rreptësisht nga ajo vetë. Duke u bazuar pikërisht në këto argumente Don Ukgjini mbështet argumentin se “Meshari” i Buzukut nuk ishte një porosi e kishës së kohës, por një përpjekje e këtij prifti shqiptar për të shkruar e botuar një libër për kolegët e tij, për t’u ardhur në ndihmë atyre për të kryer shërbesat fetare në gjuhën amtare. Interesant është fakti se në librin e tij, Buzuku ka përfshirë një lutje që nuk e gjejmë në asnjë meshar tjetër – Gjithë popullsinë e krishtene, ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut. Mjaftojnë këto dy fjali të shkurtra për të kuptuar se pavarësisht se i kishte dedikuar jetën e tij zotit dhe kishës, tek Buzuku ndjenja e atdhedashurisë ishte mjaft e fortë. I shkruar si një libër që do të përdorej gjatë shërbesave fetare, përfshirja e kësaj lutjeje sa të thjeshtë aq dhe kuptimplotë në një tekst fetar nënkupton se krahas misionit për të shkruar një libër fetar, që do t’u mësonte besimtarëve kuptimin e lutjeve fetare që deri në atë kohë bëheshin në latinisht e shumica dërrmuese e popullsisë i recitonte përmendësh pa i kuptuar domethënien në vetvete, Buzuku kërkon të theksojë në të njëjtën kohë identitetin kombëtar. Në atë kohë Shqipëria rrezikonte të asimilohej si komb nga turqit që krahas pushtimit, po konvertonin popullsinë e krishterë në myslimane me anë të dhunës, presioneve dhe favoreve ekonomike.

 

U Doni Gjoni, bir i Bdek Buzukut, tue u kujtom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom n së Shkruomit shenjtë, n së dashtunit së botëse sanë desha me u fëdigunë, për sa mujta me dituninë, me zdritunë pak mendetë e atyre qi të ndiglonjinë, përse ata të mundë mernë sa i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim ashtë zotynë qi ta duonë m gjithë zemërë. U lus mbas sodi ma shpesh të vinim kishë, përse ju kini me gjegjunë ordhëninë e Tinëzot. E atë në mbarofshi, Zotynë të ketë mishërier mbi ju. E ata qi u munduonë djerje tash, ma mos u mondonjënë”. (Marrë nga “Meshari” i Gjon Buzukut) 

Albanologu Elsie duke iu referuar arsyeve që e shtynë priftin katolik të shkruante Mesharin shprehet, – “Ajo (kjo vepër) përbën pikënisjen e shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave shqiptare. Me veprën e tij, ai mundohej të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por është edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim”. Veç faktit se është vepra e parë e shkruar në gjuhën shqipe, “Meshari” është ruajtur në një kopje të vetme. Gjithnjë është vënë në diskutim se për çfarë arsye ka mbërritur deri në ditët tona vetëm një kopje e Mesharit (dhe ajo me mungesa faqesh, pa kopertinën e pjesën e fillimit). Dr. Don Nikë Ukgjini e shpjegon këtë fakt me inkuizicionin e madh që Kisha Katolike ushtronte ndaj të gjithë librave që kishin parë dritën e botimit pa u miratuar prej saj. Të njëjtin mendim me Ukgjinin kanë ndarë dhe studiues të tjerë si Eqerem Çabej apo Robert Elsie. Elsie, albanolog i njohur, në shkrimin e tij “Fati i Gjon Buzukut” shprehet: “Shumë vëzhgues kanë vrarë mendjen se pse është kaq i rrallë Meshari në shqip i Gjon Buzukut si dhe për mungesën e librave shqip në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në përgjithësi. Arsyeja gjendet në historinë e Kishës. Politikat e kishës katolike për botimet, sidomos për botimet në gjuhët vendase, pësuan luhatje të mëdha gjatë viteve të Këshillit të Trentit (1545-1563) dhe më tej. Nën frymën e Reformës aq të nevojshme, Kisha fillimisht lejoi disa përkthime të teksteve kishtare në gjuhët vendase, por shumë shpejt kjo politikë ndryshoi. Me riafirmimin e mësimeve tradicionale katolike të Kundër-Reformës, që shënoi fundin e Rilindjes në Itali, dhe në atmosferën e përgjithshme të frikës dhe kërcënimit që sundonte gjatë Inkuizicionit, ajo shumë shpejt i futi të njëjtët libra në Indeks dhe i ndaloi”. 

Duket pra se politikat e ndjekura nga Vatikani dhe terrori i përhapur përmes inkuizicionit çuan në zhdukjen e të gjitha kopjeve të botuara të Mesharit, me përjashtim të njërës që i mungonin fletët e fillimit e për këtë arsye pati fatin të mbërrinte deri në ditët tona, për të qenë dëshmia e parë e deri tani e vetme e shkrimit të gjuhës shqipe në vitin 1555. “Po të kemi parasysh ndikimin e Këshillit të Trentit dhe të Inkuizicionit, që në kohën e shkrimit të Mesharit ishte në kulmin e vet, është vërtet një mrekulli që ka mbijetuar qoftë edhe kjo kopje e vetme e Mesharit në gjuhën shqipe”,- thotë Elsie. Për këtë arsye ekspozimi i “Mesharit” në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në muajin nëntor do të jetë një eveniment i rrallë për historinë e vendit tonë, pasi që nga koha e shkrimit dhe botimit të tij, libri i parë i gjuhës shqipe nuk e ka prekur më tokën shqiptare.

 

Gjon Buzuku dhe “Meshari” 

“Meshari” i Gjon Buzukut njihet si libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Të dhënat që kanë mbërritur deri në ditët tonë për librin dhe autorin e tij nuk janë të plota. Kjo për arsye se nga “Meshari” ka mbetur vetëm një kopje, por dhe ajo është e cunguar pasi i mungojnë 16 faqe në fillim dhe disa nga mesi. Disa të dhëna për librin bëhen të ditura nga vetë autori i cili në pasthënien e veprës shkruan se e filloi atë më 20 mars 1554 dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj nuk del e qartë. Gjon Buzuku ishte një prift katolik, një famulltar i thjeshtë, që punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Libri është shkruar në dialektin geg të Shqipërisë veriore e perëndimore me shkronja latine. Për disa tinguj të shqipes si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i përkasin gjuhës latine, autori ka përdorur pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Vepra përmban Librin e Orëve dhe Librin e Meshës, prandaj dhe është quajtur “Meshar”. Që nga botimi deri më 1740, për gati dy shekuj “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Bibliotekën e Propaganda Fides afër Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Pas kësaj, çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull deri më 1909 , kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, po jo më në Biblotekën Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit, në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare. Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Cabej, bëri një botim shkencor të veprës së Buzukut, duke e shoqëruar me një studim më të gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit.