DURRËS, 29 gusht 2014 –  Meshë e katolikëve të Durrësit për viktimat e terrorit në Lindjen e Mesme, Gaza dhe ekzekutimin e reporterit amerikan Xhejms Foli (James Foley) nga xhihadistët.

Në vigjiljen e Shën Gjon Kryepremit, më 28 gusht 2014, famullia me famullitar në Konkatedralen “Shën Luçia” të Durrësit Dom Gjergj Meta, organizoi nje mbrëmje lutjeje për të gjitha viktimat në Irak, Siri, Lindjen e Mesme si dhe për gazetarin amerikan Xhejms Foli (James Foley) dhe familjen e tij.

Brenda në mjediset e kishës u shfaqën me video-projektor pamje tronditëse nga pasojat e terrorit në vende të ndryshme të botës, copëza nga jeta e gazetarit Xhejms Foli.

Madje, mesha u transmetua me skajp për familjen e reporterit, që u trondit së tepërmi, ndërsa jashtë mjediseve të objektit të kultit u ndezën qirinj, ku Dom Gjergj Meta u shpreh se gjithë kjo ceremoni fetare e filmuar do t’i dërgohet familjes.

Dom Gjergji thotë: “Ekzekutimi i gazetarit Xhejms Foli më ka tronditur thellë. Nuk do të mund t’i shlyej për një kohë të gjatë imazhet nga ajo skenë, pak të thuash rrëqethëse, për një njeri normal. Ndërsa shihja ato imazhe, më shkoi ndërmend një kryepremeje tjetër në historinë e Biblës, ajo e Shën Gjon Kryepremit që të krishterët katolikë e festojnë më 29 gusht”.

Duke qenë tejet aktiv në jetën publike, Dom Gjergj Meta, pohon se “ka shumë elemente për të folur për këtë reporter dhe për misionin e gazetarit në përgjithësi e sidomos sakrificat e shumta që ata bëjnë për të na dhënë lajmin neve. Duke menduar për historinë e Gjon Kryepremit, më ra ndërmend marrëdhënia jonë me të vërtetën. Gjoni nuk e mohoi të vërtetën, e tha atë me zë të lartë dhe nuk bëri kompromis me gënjeshtrën. Këtë e pagoi. E shoh këtë të lidhur ngushtë me historinë e Xhejms Foli-t, por në përgjithësi me shpirtin e misionit të çdo gazetari, marrëdhënia me të vërtetën”.

Fotot: Mark Brunga

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/