Lionel Mesi do të rikthehet pasditen e sotme në stërvitje me skuadrën e Barcelonës, për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Ronald Kuman. Nëse testi për “COVID19” do të jetë negativ, ai do të bashkohet me shokët e skuadrës që janë në qendrën stërvitore. Sulmuesi argjentinas ka kryer testet në shtëpinë e tij në mënyrë që të kapë ritmin e stërvitjeve të grupit, edhe pse gjatë javës që lamë pas është stërvitur në mënyrë individuale.

Skuadra e Barcelonës dërgoi një ekip mjekësh në shtëpinë e kapitenit në Kasteldefels dhe sot paradite do të marrë përgjigjet për të parë nëse do të jetë gati për stërvitje.Ideja fillestare ishte që sot të shkonte në qendrën stërvitore për të bërë testet, por ai ka dashur që ta përshpejtojë rikthimin e tij dhe sot të jetë në stërvitje. Mesi do të bëhet pjesë e grupit pas ngjarjeve të shumta që kanë ndodhur.

Më 25 gusht ai i komunikoi klubit dëshirën për t’u larguar, por pas 11 ditësh rikthehet në skuadër edhe pse i sforcuar. Ai do të qëndrojë në Katalonjë edhe për një sezon tjetër, sepse Barcelona nuk e la të lirë që të largohej. Gjatë kësaj jave Leo do të ndjekë një program të veçantë, ndërsa Barcelona do të zhvillojë miqësoren e parë të shtunën. Me shumë mundësi, sulmuesi nuk do të jetë, sepse nuk është në formë. Në intervistën e dhënë pak ditë më parë, ai tha se do të jetë profesionist i vërtetë dhe do të bëjë gjithçka për Barcelonën, por tani mbetet për t’u parë se si do të sillet Kuman me të.

Por si do të përshtatet Lionel Mesi me trajnerin holandez, të cilin e takoi disa ditë më parë dhe i tha që e shihte veten jashtë projektit? Nuk duhet të harrojmë faktin që Kuman ka ardhur në Barcelonë për të bërë revolucion dhe për të punuar me dorë të hekurt ndaj rebelëve. A nuk ishte Mesi një rebel? Sigurisht, Leo bën përjashtim, sepse është një nga njerëzit më të rëndësishëm të historisë së këtij klubi dhe në vitet e fundit ka qenë i paprekshëm. Ai nuk është thjesht një lojtar, por është lojtari që lëviz gjithçka në klub.

Kështu që Kuman duhet ta përqafojë argjentinasin dhe bën mirë që ta ketë në anën e tij, sepse do të ketë më shumë përfitime. Leo Mesi është shpirti i skuadrës dhe njeriu që mund të vulosë i vetëm ndeshjet.