Barcelona është duke jetuar një nga krizat më të mëdha të viteve të fundit. Të premten e kaluar katalanasit morën një goditje fatale kundër Bajernit, e cila rezultoi mbrëmje e turpshme për lojtarët, trajnerin dhe drejtuesit. Të gjithë janë shpallur fajtorë për atë dështim dhe klubi mori masat duke larguar trajnerin dhe duke emëruar Kumanin. Por nuk është kjo që shqetëson katalanasit. Lionel Mesi është ai që mban peng klubin dhe tifozët.

Të gjithë mundën t’i shihnin pamjet në fundin e pjesës së parë, por edhe në fundin e ndeshjes. Në dhomat e zhveshjes nuk pati më diskutime. U tha se rezultati ishte i turpshëm dhe kaq… Por ajo që do të ndodhë më pas është shqetësuese.

Lionel Mesi është duke menduar seriozisht largimin nga klubi. Nuk është hera e parë që pas një humbjeje të tillë, argjentinasi merr një periudhë reflektimi. Ka ndodhur më parë te Barcelona, por edhe me kombëtaren e Argjentinës. Edhe me këta të fundit tha se nuk do të rikthehej më, por pastaj e veshi sërish fanellën bardhekaltër.

Te Barcelona nuk po bëjnë asnjë lëvizje, por thjesht po qëndrojnë në heshtje për të parë lëvizjen e Leo Mesit. Ky i fundit është duke i ndjekur me vëmendje lëvizjet që po bëhen në klub dhe pas tyre do të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen.

Por e vërteta është që nuk mund të përjashtohet asgjë. Leo ka një kontratë deri në vitin 2021, ndërsa një muaj më parë hoqi dorë nga klauzola për t’u larguar. Por gjithashtu bëri edhe një lëvizje të papritur për të ndalur bisedimet për rinovimin e kontratës së tij. Do të firmoste për 2 vite me një klauzolë për t’u larguar.

Leo po mendon seriozisht që ka ardhur momenti të largohet nga Barcelona dhe t’i hapë rrugën një projekti të ri skuadrës ku u rrit. Mirëpo, ai vetë dëshiron që të fitojë trofe të tjerë dhe nuk ka ndërmend që të qëndrojë për të parë humbjet e njëpasnjëshme në Ligën e Kampioneve. Më parë dukej si fantazi e merkatos, por ideja për largim ka marrë jetë edhe në mediat spanjolle. Skuadrat që duan ta transferojnë janë 3: Siti, PSG dhe Interi.