TIRANË – Partia Demokratike akuzoi sot kreun e PS-së Edi Rama se ka ideuar ditët e fundit një “fushatë të paprinciptë” kundër gjyqtarëve të procesit të 21 janarit Deputetja e PD-së Mesila Doda në një konferencë për shtyp, theksoi se fushata e Ramës është kthyer në një sulm dhe terror të egër ndaj trupës gjykuese.
“Një fushatë krejtësisht e pazakontë dhe e paprinciptë ka nisur kundër gjyqtarëve të rrethit Tiranë pas vendimit të fundit për ngjarjet e 21 janarit fushatë kjo, e ideuar dhe e organizuar nga vetë kryetari i opozitës Edi Rama. Ky sulm dhe terror i egër mbi gjyqtarët, përveçse është në kundërshtim me çdo standard demokratik në vendet Europiane ku gjykata duhet të lejohet të kryejë e qetë detyrën e saj dhe të mos bëhet objekt e presioneve dhe kërcënimeve, bëhet me qëllim për të penguar zbardhjen e plotë të procesit të 21 janarit. Ne kemi kërkuar zbardhjen e ngjarjes, gjetjen e organizatorëve, ideatorëve, sponsorizuesve dhe të gjithë hallkave të tjera që çuan në momentin dramatik të 21 janarit dhe i përmbahemi plotësisht kësaj kërkese legjitime. Nuk mund të ketë asnjë justifikim të përdorur nga Edi Rama që të pengojë zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”.
PD i bëri thirrje kreut të PS që të mos përdorë vendimet e gjykatave për të tensionuar klimën politike në vend. “Do kërkoja nga Edi Rama të mos përdor vendimet e gjykatave për të tensionuar artificialisht klimën politike në vend”,- tha deputetja demokrate.