Nxënësit e gjimnazit “Naim Frashëri” pritet të zhvillojnë mësimin në shkollat e tjera si pasojë e rikonstruksionit të shkollës së tyre.

Vetëm një shkollë e re që pritet të hapë dyert e saj për nxënësit duket se është shumë pak për të plotësuar mangësitë në ambiente shkollore që ka arsimi në Durrës. Për të gjitha shkollat e arsimit të detyrueshëm nëntëvjeçar si dhe për ato të mesme e vetmja zgjidhje është zhvillimi i mësimit me dy turne, për të përballuar fluksin e lartë të rregjistrimeve dhe mungesës së ambienteve në shkollat publike.

Në mëngjes në shkollat nëntëvjeçare është planifikuar të zhvillojnë mësim nxënësit nga klasa e 5 deri në të nëntën dhe pas orës 14.00 do të zhvillojnë mësim klasat e para deri tek të katërtat. Mbingarkesa ka detyruar pjesën më të madhe të shkollave publike të vijojnë me këtë sistem, ndërsa problematike është gjendja edhe në shkollat e mesme dhe ato profesionale.

Minimalisht 200 fëmijë të emigrantëve të kthyer në vendin tonë kanë kërkuar të rregjistrohen në Durrës, çka ka bërë që shkollat të përballen me fluks të madh rregjistrimesh. Shkolla  e mesme “Naim Frashëri” pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit total në javët e ardhshme, ndërsa mbi 1200 nxënësit e saj parashikohet të mësojnë në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, në turnin e dytë.

Nuk dihet si do ta presin këtë prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle, por një gjë është e sigurt, se edhe shkollat e tjera profesionale janë zënë nga universiteti i Durrësit, i cili në mungesë të ambienteve për katër fakultete do të vijojë mësimin në turnet e dyta në këto shkolla, madje edhe në periferitë e Durrësit. 

 

Shkolla  e mesme “Naim Frashëri” pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit total në javët e ardhshme, ndërsa mbi 1200 nxënësit e saj parashikohet të mësojnë në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, në turnin e dytë. Edhe këtë fillim viti në të gjitha shkollat e mesme dhe ato të arsimit të detyrueshëm problem madhor është mbingarkesa nëpër klasa 

Edhe këtë fillim viti në të gjitha shkollat e mesme dhe ato të arsimit të detyrueshëm problem madhor është mbingarkesa nëpër klasa e sidomos në arsimin 9-vjeçar. Nga 35 deri 40 nxënës për klasë janë rregjistruar në arsimin e detyrueshëm. Por edhe shkollat e mesme kanë të njëjtën problematikë. Në të gjithë rrethin e Durrësit numërohen 63 shkolla të arsimit të detyrueshëm dhe atij të mesëm. Në vitet e fundit investimet janë përqendruar në zonat rurale dhe pak shkolla janë rikonstruktuar në Durrës.

Problematikë e trashëguar

Megjithëse qyteti i Durrësit këto 20 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm me banorë të rinj, numri i institucioneve arsimore nuk është rritur në përpjestim të drejtë me shtimin e popullsisë. Rikonstruksioni i disa shkollave nuk ka zgjidhur problemin e mbingarkesës nëpër klasa, pasi shkollat ekzistuese janë shumë pak për të plotësuar kërkesat në rritje të rregjistrimeve nëpër shkolla.

Mbingarkesa nëpër klasa dhe zhvillimi i mësimit me dy turne dëmton rëndë mbarëvajtjen e proçesit mësimor dhe të parët që e pësojnë nga kjo janë nxënësit e sistemit parauniversitar. Në një pjesë të mirë të rasteve, kur në shkolla apo klasa të caktuara vihen re probleme infrastrukturore kanë qenë prindërit ata që kanë kontribuar për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Po nëse në të tilla momente komuniteti i prindërve mund të ndihmojë për përmirësimin e ambienteve shkollore ai nuk mund të ndihmojë dot për ndërtimin e shkollave të reja. Shkolla e re që u ndërtua në zonën e Currilave e që në fillim u mendua se do t’i vinte në ndihmë sistemit 9-vjeçar u përdor nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

Mundësia e vetme për të reduktuar disi mbingarkesën nëpër klasa në shkollat e mesme është institucioni i ri arsimor që po ndërtohet në zonën e ish-Kënetës. Por edhe nëse do të hapë dyert këtë 10 shtator, ai nuk do të jetë me kapacitet të plotë, sepse punimet janë ende në proçes. Në të pritet të rregjistrohen nxënësit që banojnë në lagjen nr.17 si dhe zonat përreth.

Ndërkohë një pjesë e shkollave të mesme, për të evituar rritjen e numrit të nxënësve nëpër klasa u kanë rekomanduar prindërve t’i rregjistrojnë fëmijët në këtë shkollë, por shumë prej tyre kanë hezituar dhe kanë paraqitur ankesa pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale.