Nga Dr. Bledar Kurti

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Kjo ditë simbol, e shpallur nga OKB, shërben për të tërhequr vëmendjen e qeverive dhe qytetarëve për rolin dhe rëndësinë e arsimit.

Teksa flitet e diskutohet gjerësisht për arsimin shqiptar, duke bërë krahasime me vendet e zhvilluara, mjafton të hedhim vështrimin shumë pranë nesh, në Kosovë, për të parë një situatë tërësisht ndryshe nga e jona.

  • NË KOSOVË:

Në Kosovë viti i parë i studimeve Bachelor në institucione publike është falas. Për vitin e II dhe të III tarifat janë nga 50 euro, provimet falas dhe diplomimi falas.

Niveli master ka tarifën tre semestra nga 150 euro e për çdo provim 2,5 euro, kurse diplomimi 100 euro.

Nëse nuk humben vite e nuk ka mbetje ose moskalim të vitit, studentët e ekselencës shpërblehen nga ministria apo universiteti. Nëse studenti ka notë mesatare mbi 9.0, shpërblehet me një bursë prej 900 euro.  Mesatarja 9,0 vlen për Ekonomi dhe Filozofi, ndërsa Inxhinieri, Arkitekturë dhe Mjekësi është 8.5.

Ata studentë që arrijnë këtë mesatare brenda vitit akademik, aplikojnë për bursë dhe i marrin ato para. Ka raste, si përshembull Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që çlirojnë nga pagesa çdo student që në atë universitet ka dhe një motër ose vëlla të regjistruar.

Familjet kosovare që kanë më tepër se një student në Universitetin e Prishtinës paguajnë vetëm për një student, ndërsa për studentë të tjerë nuk paguajnë.

Qendra studentore është një banesë tejet komode. Ka dhoma që mund të akomodohen 3 vajza/djem në një dhomë dhe 1 banjo (me dush brenda) e korridor të përbashkëta për dy dhoma. Energjia elektrike, ngrohja e përgjithshme dhe uji janë 24 orë. Dhe të gjitha shërbimet që përmenda përfshihen në pagesën 20 euro në muaj.

Në lidhje me ushqimin paguajnë 15 euro në muaj për dy vakte.
Qendra Studentore ndodhet në qendër të Prishtinës duke patur të gjitha fakultetet në afërsi.
Qendra Studentore në Prishtinë ka dhe shumë lehtësira të tjera; Bibliotekën, internet falas, salla leximi të cilat janë rinovuar së fundmi dhe terrene sportive.

Studentët në Kosovë kanë Kartën e Studentit, kartelë studentore që gëzojne falas shërbimet shëndetësore.
Me Kartën e Studentit kanë zbritje në transport me 30%, zbritje edhe në shumicën e shoppingut në dyqane rrobash dhe ushqime si edhe zbritje të tjera.

Në teatër shkojnë falas kurse në kinema gëzojnë zbritje prej 50%.
Për transportin paguajnë biletë mujore dhe i përdorin të gjithë autobusët e qytetit sa herë u duhet.

  • JA ÇDO TË THOTË TË JESH MËSUES APO PEDAGOG NË KOSOVË:

Mësuesit në shkollat e mesme të larta kanë një pagë bazë prej 621 euro, dhe nëse kanë përvojë 15-vjeçare, pagat e tyre shkojnë 668 euro.

Mësimdhënësit në shkollat e mesme të ulëta kanë një pagë bazë prej 585 euro, dhe me 15 vite përvojë punë, paga shkon në 629 euro.

Mësimdhënësit në shkollat fillore kanë pagë bazë prej 549 euro, kurse mësimdhënësit në shkollat parashkollore 535 euro.
Pedagogët në universitet nga 1 mijë e 200 euro në 1 mijë e 481 euro.

  • ARSIMI SI PRIORITET

Arsimi duhet të jetë sektor prioritar. Zhvillimi dhe e ardhmja e vendit varen nga cilësia e arsimit. Nxënësit dhe studentët nuk janë parazitë, qenie pa asnjë kontribut në buxhetin e shtetit. Ata janë investim thelbësor e jetik afatgjatë. Nxënësit, studentët dhe rinia janë pasuria dhe investimi më i madh i një kombi dhe i të ardhmes së shoqërisë.

Gjithashtu, edukatorët, mësuesit dhe pedagogët nuk janë thjesht një kategori e domosdoshme. Ndikimi i tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto nuk është në terma financiar dhe ekonomik por janë pikëtosht ata shtyllat e vetë organizimit shoqëror që ne e quajmë shtet.

Arsimi është sektor tejet i vështirë e i mbushur plot sfida. Janë bërë shumë hapa përpara e mbeten të bëhem akoma edhe më tej pasi jetojmë në një epokë me ndryshime të shpejta e marramendëse, por ajo që duhet bërë vazhdimisht e në mënyrë të patjetërsueshme është që arsimi të mbetet gjithmonë në fokus, në qendër të politikave dhe vëmendjes të politikbërësve sepse, siç tashmë është e provuar, investimi te arsimi sjell gjithmonë fitimet më të mëdha, dhe edhe pse rrënjët e arsimit mund të jenë të hidhura e kërkojnë ushqim të vazhdueshëm, frytet janë gjithmonë të ëmbla.