Dr. Bledar Kurti

Në këtë ditë, më 12 mars 1933, nisi ajo që mund të njihet sot si podcast-i parë, titulluar “Biseda Pranë Zjarrit,” një seri komunikimesh radiofonike nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt.

I ulur pranë vatrës së zjarrit, duke simbolizuar kuvendimin e drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë, presidenti komunikonte me popullin e vet përmes radios, që ishte edhe i vetmi mjet mediatik që dispononte çdo familje amerikane në atë kohë.

Ky komunikim i një shtetari me popullin përmes radios zgjati nga viti 1933 deri në 1944, e çimentoi rëndësinë e komunikimit me publikun edhe në fushën politike, e cila sot, fatkeqësisht bazohet pothuajse e gjitha te imazhi dhe komunikimi.

“Biseda Rreth Zjarrit” nisi gjatë Depresionit të Madh, ku populli kërkonte siguri nga shteti mbi situatën e rëndë ekonomike e financiare që po kalonte vendi, si edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur njerëzit e thjeshtë kërkonin siguri nga lufta.

“Biseda Pranë Zjarrit” përveçse komunikim i drejtpërdrejtë u bë një burim shprese dhe sigurie për të gjithë amerikanët. Bisedat e thjeshta të Presidentit e ndryshuar tërësisht mendësinë dhe botëkuptimin amerikan, duke e ngritur moralin dhe sentimentin popullor nga ai i dëshpërimit në atë të shpresës.

Thënie të tilla të Presidentit Roosevelt, si: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetëm frika – Kur të arrish në fund të litarit, lidh një nyjë dhe mbahu fort aty – Ne nuk mund të ndërtojmë gjithmonë të ardhmen për të rinjtë tanë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen – Njerëzit nuk janë të burgosur të fatit, por vetëm të burgosur të mendjes së tyre,” e shumë thënie të tjera shpresëdhënëse, i dhanë kurajë popullit amerikan të përballonte me forcë e sukses sfidat e mëdha e të tmerrshme me të cilat po përballeshin.

Kjo quhet shtetari.

Ky është shembulli që duhet ndjekur edhe sot.

T’i japësh zemër popullit tënd tregon se vërtetë të rreh zemra për popullin tënd.