Pandemia Covid-19 i penalizoi për të dytën herë brenda një viti studentët që të ulen në auditore. Pas karantinës së muajve mars-maj dhe kalimit të procesit online, edhe në muajt nëntor-dhjetor të vitit të ri akademik 2020-2021 panorama është e njëjtë. Është e paqartë ende se kur Komiteti i Ekspertëve mund të hapë dritën jeshile për rikthimin e studentëve në IAL-e, por nga ana tjetër, megjithëse nuk është një eksperiencë e panjohur tashmë, mësimi online shoqërohet me problematika të ndryshme.

DurrësLajm intervistoi dekanin e Fakultetit të Studimeve Profesionale, në UAMD, Osman Metalla, për të mësuar më shumë mbi ecurinë e këtij procesi.

Dekani Metalla i pranon vështirësitë që kalojnë qoftë studentët ashtu edhe lektorët, kjo dhe për faktin se pjesa më e madhe e të rinjve që frekuentojnë UAMD-në janë nga qarku i Durrësit. Metalla rendit ndër shqetësimet primare mungesën e pajisjeve elektronike si smartphonë dhe laptopë, apo atë të internetit, pasi një pjesë e konsiderueshme e studentëve janë të pastabilizuar në shtëpi për shkak të pasojave që la tërmeti i 26 nëntorit 2019. Disa prej tyre madje ndjekin mësimet në bare dhe lokale.

“Shpesh vërejmë që studentët për të aksesuar internet më cilësor (ose në mungesë të internetit) shkojnë në ambjente publike (kafene) çka nuk është shumë efikase për ta”,- thotë dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale.

Në të njëjtën kohë, Metalla thotë se me gjithë dëshirën e mirë të lektorëve për të ndihmuar studentët në këtë proces, për disa lëndë ekzakte apo profesionale bërja e praktikave nuk mund të realizohet online.

Problem më vete mbetet edhe fakti që studentët e vitit të parë mund të konsiderohen si më të penalizuarit në gjithë këtë proces.

“Mbase do të kishte qenë më e udhës që të paktën dy javët e para, këta studentë, duke respektuar të gjitha rregullat e mos përhapjes së infeksionit Covid-19, të ishin lejuar në auditor. Kjo do ta kishte lehtësuar mjaft fillimin e procesit mësimor për këta studentë. Nga ana e stafit tonë akademik janë bërë të gjitha përpjekjet për të familjarizuar studentët e vitit të parë nëpërmjet organizimit dhe të takimeve virtuale paraprake të stafit me studentët nëpërmjet platformave të komunikimit online, në mënyrë që t’i orientonim dhe ndihmonim ata në mësimbërjen online”,- thotë Metalla.

Dekani vlerëson se megjithëse situata njihej tashmë dhe pritej që në vjeshtë-dimër pandemia Covid-19 do të shfaqej më kërcënuese për shëndetin e të gjithëve, qeveria nuk ndërmori asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë studentëve që vijnë nga shtresat vulnerabël të shoqërisë.

“Kësaj shtrese qeveria duhej të kishte menduar t’i jepte një zgjidhje për t’i krijuar mundësi të barabarta me të gjithë studentët e tjerë, për shembull, duke i dhuruar tableta dhe internet falas për mësimin online”, – thotë dekani Metalla.

Si po ecën procesi i mësimit online, cilat janë problematikat që po hasen më shpesh?

Lidhur me mësimin online në Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe në Fakultetin e Studimeve Profesionale ku unë jam Dekan po vazhdon, megjithëse duhet thënë se për hir të së vërtetës me problematika shoqëruese. Pikësëpari, vështirësite kryesore janë të lidhura me mundësitë që vetë studentët kanë për të zhvilluar një mësim të tillë. Jo të gjithë kanë pajisjet e duhura si smartphonë, tableta apo laptopë, të cilët të jenë të përshtatshëm për zhvillimin e një mësimi të tillë. Dihet që studentët e Universitetit tonë vijnë kryesisht nga qarku i Durrësit i cili ishte dhe qarku më i prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe një pjesë e madhe e familjeve nga ku vijnë dhe studentët tanë nuk janë staibilizuar në banesa e jo më për të folur për mundësi të zhvillimit të mësimit online. Shpesh vërejmë që studentët për të aksesuar internet më cilësor (ose në mungesë të internetit) shkojnë në ambjente publike (kafene) çka nuk është shumë efikase për ta.

Gjithsesi vlen të theksoj se mësimi në auditor nuk mund të zëvëndësohet 100% me mësimin online pasi qoftë interaktiviteti, apo dhe shpjegimi i shumë elementeve të ndryshëm bëhet më i vështirë në komunikimin online në raport me komunikimin direkt në auditor. Kjo sidomos më e theksuar për shkencat e sakta dhe ato profesionale. pasi shpesh demostrimi apo dhe bërja e praktivave profesionale nuk mund te realizohet online. Gjithsesi, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo është një situatë globale dhe natyrisht ashtu sikundër dhe pothuaj pjesa më e madhe e universiteteve në vendet e tjera dhe ne jemi të detyruar të përshtatemi me këtë mënyrë të re të mësimdhënies dhe shpresojmë që sa më parë t’i rikthehemi auditoreve.

Çfarë është përmirësuar në krahasim me muajt mars – maj kur u aplikua për herë të parë dhe sa penalizohen studentët e viteve të para nga ky proces?

Në raport me muajt mars, prill dhe maj duhet thënë se tashmë si stafi akademik por dhe studentët, krijuan një eksperiencë në zhvillimin e mësimit online dhe kjo eksperiencë padyshim që na shërbeu që me fillimin e këtij viti akademik të startonim më lehtësisht procesin. Por nga ana tjetër vështirësitë që përmënda në fillim të këtij komunikimi, lidhur me mungesën e paisjeve teknologjike nga ana e studentëve ekzistojnë. Është për të ardhur keq që nga ana e qeverisë nuk kishte asnjë strategji për t’i ardhur në ndihmë shtresave më vulnerable, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike kur një situatë e tillë ishte e qartë se do të ndodhte. Kësaj shtrese qeveria duhej të kishte menduar t’i jepte një zgjidhje për t’i krijuar mundësi të barabarta me të gjithë studentët e tjerë, për shembull, duke i dhuruar tableta dhe internet falas për mësimin online. Një ndërmarrje e tillë sigurisht që ka një kosto. por përftimi në mundësitë që do t’i jepeshin këtyre të rinjve dhe të rejave do të ishte shumë më i madh se sa ky shpenzim.

Vështirësi kishim me studentët e vitit të pare, të cilët nuk arritën që të ulen fizikisht në auditorët e universitetit, por e filluan mësimin direkt online. Mbase do të kishte qenë më e udhës që të paktën dy javët e para, këta studentë, duke respektuar të gjitha rregullat e mos përhapjes së infeksionit Covid-19, të ishin lejuar në auditor. Kjo do ta kishte lehtësuar mjaft fillimin e procesit mësimor për këta studentë. Gjithsesi ishim të detyruar të zbatonim vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për mos zhvillimin e mësimit në auditor edhe për vitet e para. Nga ana e stafit tonë akademik janë bërë të gjitha përpjekjet për të familjarizuar studentët e vitit të parë nëpërmjet organizimit dhe të takimeve virtuale paraprake të stafit me studentët nëpërmjet platformave të komunikimit online, në mënyrë që t’i orientonim dhe ndihmonim ata në mësimbërjen online.

Nëse mësimi online do të vazhdojë edhe përgjatë muajve të parë të vitit 2021, a rrezikojnë studentet në provimet e fund semestrit?

Nga ana e Universitetit dhe dekanateve janë marrë masat që studentët të mos e humbasin mundësinë e dhënies së provimeve. Për këtë qëllim janë marrë masat që provimet të jepen dhe studentët të vazhdojnë vitin akademik pa humbur asnjë mundësi të dhënies së këtyre provimeve dhe përfundimin normal të vitit akademik.  

M.B.