TIRANË, 26 korrik 2013 – Mesnata e 26 korrikut 2013 u trondit nga 2 lëkundje të lehta toke në harkun e një ore, fillimisht në Elbasan dhe pastaj prapa malit të Dajtit. Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 25 korrik, ora 22:6:51 GMT ose datë 26 korrik 2013 ora 0:6:51 një tërmet minor me magnitudë M=2.6.Ngjarja është lokalizuar 4 km në vijë ajrore në perëndim të qytetit të Elbasanit, me epiqendër në thellësinë 17 km, në koordinatat 41.11°N, 20.05°E, në afërsi të Bradasheshit, ngjitur me rrugën “Kadri Hoxha”.Një orë më vonë, sipas departamentit të sizmologjisë, pati një tërmet tjetër, edhe më të lehtë, po më 25 korrik, ora 23 e 21 minuta GMT ose datë 26 korrik 2013 ora 1 e 21 minuta (koha e Shqipërisë), me magnitudë M=2, me epiqendër në thellësinë 12 km në Gurrë të qarkut të Tiranës (shih hartën nr. 1 pika e kuqe).Por referuar koordinatave 41.28°N, 19.96°E, në të vërtet, ngjarja tektonike ka ndodhur, në lartësitë rreth 700 metra mbi nivelin e detit, në kufijtë midis komunës të Petrelës ku ndodhen fshatrat Gurrë e Përcëllesh dhe komunës së Dajtit ku ndodhet fshati Selbë (shih shigjetën e gjelbër në hartën nr. 2).
Info/
Komuna e Dajtit ka nën juridiksion fshatrat Darshen, Selbë, Murt, Brar, Ferraj, Priskë e Madhe, Surrel, Lanabregas, Shkallë, Qafë-Mollë, Tujan, Linzë, Shishtufinë.Komuna e Petrelës ka nën juridiksion fshatrat Petrelë, Mullet, Stërmas, Picallë, Shënkoll, Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël, Daias, Barbas, Mangull, Fikas, Qeha, Shytaj, Hekal, Kryezi, Përcëllesh, Durisht.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





