13korrik 2015 – Kur skulpturat e Tina Tërnerit dhe Mick Jagger u vendosën në lulishten përbri Torrës në Durrës, me iniciativën e kryebashkiakut Vangjush Dako, askush nuk e dinte arsyen e vërtetë të kësaj përzgjedhjeje. Sot, kreu i bashkisë i sapozgjedhur për mandatin e tretë në Bashkinë e Durrësit, e zbulon sekretin.
Ja si e tregon ai:
“30 vjet më parë, në 13 Korrik të 1985, në orën 12:00 u mbajt një super koncert për 16 orë , 8 orë në stadiumin Uembli të Londrës dhe 8 orë në stadiumin J.F.K të Philadelphias (SHBA). Ky koncert titullohej “LIVE AID” dhe ishte për mbledhjen e fondeve në ndihmë të vendeve afrikane.
Kjo ditë është e njohur si dita që Rock e Roll ndryshoi botën!
Në Shqipëri ishim 90 ditë pas vdekjes së diktatorit e për rininë e asaj kohe ky koncert ishte një frymëzim, një shtysë drejt agimit perëndimor.
Kam ende në mendjen performancën e Fred Mercury dhe Grupit “Who”, të cilët shpërthyen në Uembli, ndërsa Tina Turner dhe Mick Jagger ndezën flakë J.F.K.-in. E njëjta atmosferë shpërthyese ishte edhe në plazhin tek hotel “Breshka” në Durrës.
Ky koncert do të mbetet i paharruar për mua pasi e diela, 14 korrik 1985, ndryshoi jetën time”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/