Në Barcelonë të gjithë janë në pritje të firmës së Lionel Messit që mesa duket do të vijë në muajin maj. Kontrata aktuale e sulmuesit argjentinas skadon në vitin 2018 por palët duket se e kanë gjetur gjithën e përbashkët për ta shtyrë bashkëpunimin deri në vitin 2022. Mediat pranë klubit katalanas sigurojnë se tashmë shumë çështje janë sheshuar dhe mbetet thjesht që të hidhet e zeza mbi të bardhë. Në vitin 2022 kur do të skadojë edhe kontrata që do të nënshkruhet, numri 10 do të jetë 35 vjeç, çka do të thotë se aventura e tij europiane do të mbyllet te klubi ku u rrit dhe kaloi gjithë karrierën e tij duke fituar gjithçka. Nuk dihet ende nëse Messi do të preferojë të zhvendoset në një kontinent tjetër pas aventurës në Barcelonë pasi shpesh herë në të shkuarën ai ka lënë të hapur mundësinë e mbylljes së karrierës te klubi i Rosarios, Newells Old Boys.

Por ndërkohë që kapiteni duket seka qetësuar tifozët katalanas, një çështje që vazhdon të mbetet e hapur është ajo e brazilianit Neymar. Sirenat angleze dhe franceze po buçasin prej muajsh në Katalonjë dhe vetë talenti i Selecaos nuk e ka përjashtuar mundësinë e transferimit në një kampionat tjetër, kjo për shkak edhe të mungesës së harmonisë në një skuadër ku luan një nga emrat më të mëdhenj të futbllit botëror si Lionel Messi. Rinovimi i numrit 10 është një tjetër arsye që Neymar të mendojë lamtumirën, por kjo do të ndodhë vetëm në rast se një klub pranon të paguajë klauzolën e largimit të tij prej 200 milionë eurosh.