1 dhjetor 2014 – Barcelona arriti një fitore shumë të mundimshme të dielën në mbrëmje ndaj Valencias. Në stadiumin “Mestalla”, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique fitoi 1-0 me një gol të shënuar në sekondat e fundit të takimit nga Sergi Busquets. Në momentin kur blaugranat po festonin golin e fitores shumë pranë vendit ku qëndronin tifozët vendas, dikush nga publiku lëshoi një shishe me ujë drejt futbollistëve të Barcelonës. Shishja goditi në kokë argjentinasin, i cili iu drejtua arbitrit David Fernandez Borbalan për t’u ankuar. Në këtë moment, arbitri e ndëshkoi sulmuesin e katalanasve me karton të verdhë për këtë arsye:
"Në minutën e 89, Leo Messi u ndëshkua me karton të verdhë pasi vonoi rikthimin në fushën e lojës pas shënimit të golit duke dashur të vonojë lojën". Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të mbajë vendin e dytë me 31 pikë, vetëm 2 pikë larg Realit kryesues.





