Brazil, 19 korrik 2014 – Vendimi i Fifa-s për të shpallur Messin si lojtarin më të mirë të Botërorit, Brazil 2014 krijoi jo pak polemika, aq sa dhe në Argjentinë, Mario Kempes u shpreh se kapiteni i La Seleccion nuk e meritonte këtë cmim. Për këtë arsye Fifa, sqaroi për herë të parë arsyen e vendimit të saj. Gerard Hullier, një prej anëtarëve të komisionit vlerësues për këtë trofe, foli për rrjetin amerikan ESPN duke bërë të ditur kriterin që u zbatua në dhënien e këtij cmimi individual. Sipas Houllier, paraqitja e Messit nuk duhet parë vetëm në finale, ku lojtari ishte pothuajse inekzistent në fushë pas minutës së 60-të, por në total gjatë gjithë kompeticionit. Houllier, e cilësoi Messin si lojtarin kryesor të Argjentinës dhe udhëheqësin e të tijve në fushë, aq sa e ndihmoi përfaqësuesen të arrinte deri në finale.

Francezi theksoi se Messi shënoi katër gola në fazën e grupeve, dha asist për Di Marian në ndeshjen me Zvicrën në 1/8 dhe gjithashtu mori përsipër ekzekutimin e penalltisë së parë në gjysmëfinalen me Holandën duke u treguar i saktë në goditjen e saj. Gjithashtu Houllier shtoi se Argjentina ishte një prej skuadrave më kompkate në këtë Botëror, dhe forca e vërtetë e saj ishte grupi, i cili qëndroi i bashkuar si pasojë e punës së mirë që bëri kapiteni në fushë, i cili në këtë rast ishte Messi. Gjithsesi arsyet e ofruara nga Houllier nuk kanë bindur shumë skeptikët, aq sa dhe Maradona i cilësoi si të pabaza deklaratat e francezit duke shtuar se Messi është futbollisti më i mirë në Botë, por realisht në Botëror nuk u shfaq si i tillë dhe se cmimi duhet të ishte fituar ndoshta nga një futbollist gjerman.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/