Dashuria blaugrana dhe Messit vazhdon. Argjentinasi ka rinovuar me Barcelonën, raporti mes tyre do të vazhdojë të paktën deri në 30 qershor të vitit 2021. Klubi katalanas zyrtarizoi akordin për rinovimin e kontratës të yllit argjentinas, e cila do të firmoset kur Messi të kthehet nga pushimet. Edhe pse klubi nuk ka dhënë shifra, sipas mediave spanjolle klauzola për zgjidhjen e njëanshme të kontratës është rritur në shifrën e 300 milionë Eurove, 100 më shumë nga sa parashikohej në kontratën e fundit.
Për Messin që 24 Qershorin e kaluar festoi ditëlindjen e tij të 30-të, dhe që në datën 30 të të njëjtit muaj u martua me shoqen e tij të jetës Antonela Rocuzzo, bëhet fjalë për një zgjatje me 3 vjet duke qenë se akordi i mëparshëm do të skadonte në 2018. “Klubi celebron në këtë mënyrë, – shkruan Barcelona në komunikatën zyrtare, – vazhdimësinë dhe impenjimin e futbollistit më të mirë të historisë, të rritur në kanterën tonë dhe që e ka zhvilluar të gjithë karrierën me ne, duke u kthyer në simbolin e një epoke suksesësh të jashtëzakonshme, të padëgjuar më parë në futbollin botëror”.