Një skandal ka ndodhur në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Beratit. Në shkollën “22 Tetori”, është emëruar mësues për lëndët e “Fizikës” dhe “Informatikës” 62-vjeçari Ëngjëll Bregu, i cili rezulton të jetë dënuar për “pedolifi” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve në vitin 2003.
Kanë qenë prindërit e fëmijëve ata që e kanë shprehur këtë shqetësim për mediat,duke kërkuar largimin e mësuesit nga shkolla. Mësohet se largimi i tij është kërkuar edhe në drejtorinë e shkollës, të cilët kanë thënë se emërimi i tij është bërë nga DAR.
Vetë nxënësit e shkollës shprehen se, janë në dijeni të asaj çfarë ka bërë mësuesi në të shkuarën dhe kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit, pasi-siç shprehet një vajzë-mësuesi i shikon në një mënyrë ndryshe që i bezdis. Nxënësit deklarojnë se,ai u jep lëndët e “Fizikës” dhe “Informatikës” dhe se ka mbërritur në shkollë prej disa ditësh.
“Mësuesi na jep fizikë dhe informatikë. Kemi dëgjuar që ka ngacmuar nxënës dhe që është dënuar dhe kemi pak frikë. Ai sesi të shikon në klasë dhe për këtë kemi njoftuar edhe prindërit”-shprehen nxënësit e shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”,- shprehen nxënësit shkruan BalkanWeb.
Pas mbërritjes së mediave jashtë ambienteve të shkollës, mësohet se drejtoresha i ka kërkuar Bregut të largohej si dhe DAR transferimin e tij në një shkollë tjetër.
Në vitin 2003, kanë qenë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat, ato që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskursioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.
Nxënëset atëherë e cilësuan mësuesin si maniak, pedofil dhe të rrezikshëm. Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ja hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria. Pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në detyrë në vitin 2004 në një shkollë 9-vjeçare në fshatin “Hinkë” më Dimal dhe një muaj më pas u transferua në shkollën 9-vjeçare të fshatit “Çiflik”, po në bashkinë Dimal, për të qenë më afër shtëpisë.
Në 25 Prill 2009 ai është akuzuar sërish nga 13 prindër se ka ngacmuar seksualisht fëmijët e tyre në këtë shkollë. Prindërit dërguan asokohe një peticion në Drejtorinë Arsimore Berat, ku kanë shpjeguar sjelljet jo të hijshme të mësuesit. Prindërit e akuzonin mësuesin Ëngjëll Bregu se vinte i dehur në shkollë, se organizonte ekskursione pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe se i prekte vajzat e mitura në pjesë të ndryshme të trupit. Pas këtij peticioni, DAR Berat e pezulloi atë nga detyra por për shkak se denoncimi nuk u bë në polici, Bregu nuk u arrestua sërish.
Pas 13 vjetësh i larguar nga sistemi arsimor, me një vendim që nuk dihet se nga kush është firmosur, mësuesi Ëngjëll Bregu, u rikthye në arsim dhe prej 1-jave është emëruar në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”, në qendër të qytetit të Beratit. /BW