Pas shumë vitesh i përkushtuar si mësues letërsie në shkollat e qytetit të Durrësit, Qemal Vrioni i është rikthyer pasionit të tij të hershëm, pikturës. Duket se dalja në pension i ka krijuar më tepër kohë të lirë, pasi pjesa dërrmuese e pikturave të ekspozitës së tij të parë personale janë realizuar dy vitet e fundit. Ndërkohë që një pjesë e vogël e tablove janë realizuar shumë vite më parë në 1974 apo 81. 

Gjatë përurimit të ekspozitës së hapur në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”, Vrioni u ndodh mes shumë miqsh e kolegësh, që kishin ardhur të njiheshin nga afër me punimet e tij. Drejtori i rrjetit të muzeve të Durrësit, Edmond Agolli, e cilësoi këtë ekspozitë si më patriotikja e hapur në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. Sipas Agollit, në të gjejmë lashtësinë, mesjetën, pavarësinë dhe realitetin aktual. Dhe vërtet, ndërsa lëviz nga njëra pikturë në tjetrën sheh se Vrioni i ka kushtuar një rëndësi të veçantë pasqyrimit të objekteve dhe personaliteteve që kanë shenjuar etapa të rëndësishme në historinë e Durrësit dhe Shqipërisë duke përfshirë një tematikë mjaft të gjerë në tablotë e tij. Vrioni shprehet se si shumë kush që po kërkon të lërë një vulë apo një shenjë në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të vendit tonë edhe ai me modesti, përmes kësaj ekspozite të parë tenton jo vetëm të realizojë një dëshirë të kahershme të tij, por edhe të sjellë para artdashësve durrsakë punime të realizuara me dashuri e mjeshtëri.

Muret antikë të qytetit, vila e mbretit Zog, shtëpia e Fan Nolit, ajo Mustafa Varoshit apo Aleksandër Moisiut, portretet e tre figurave që ngritën flamurin në Durrës më 25.12.1912 si Kasem Durrësi, Abaz Çelkupa e Sulejman Kadiu, por dhe objektet e kultit si xhamia dhe kishat katolike e ortodokse gjejnë hapësirë në këtë ekspozitë të parë të Vrionit. Në të gjitha këto piktura duket se piktori është përpjekur t’i qëndrojë besnik detajeve më të imta të këtyre godinave historike, duke i sjellë në grafikë me mjaft mjeshtëri. Duket se grafika ka qenë gjinia ku ai e ka gjetur më shumë veten, pasi pjesa dërrmuese e tablove të punuara dy vitet e fundit janë pikërisht në grafikë. Siç rrëfen vetë piktori lidhja e tij me pikturën ka qenë e hershme dhe e vazhdueshme, por fatkeqësisht për shkak edhe të regjimit të kaluar nuk ka mundur t’i dedikohet krejtësisht asaj dhe të arrinte të hapte kohë më parë një ekspozitë personale. Shumë vite më parë kur studionte për Gjuhë-Letërsi, në universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër ai ka marrë pjesë në një ekspozitë kolektive ku ka ekspozuar 12 nga punimet e tij. Gjithashtu ai ka ekspozuar punimet e tij në ekspozita kolektive të hapura në qytetin e Fierit apo në Shijak.

Më pas angazhimet profesionale duket se e kanë larguar disi nga ky pasion, të cilit ju rikthye në moshë të tretë. Pikërisht kësaj moshe, të cilën po e përjeton dhe vetë, Vrioni i ka kushtuar disa piktura në të cilat pasqyrohet udhëkryqi dhe vështirësitë me të cilat përballet shpeshherë kjo kategori shoqërore.