Një 34-vjeçar me profesion mësues është arrestuar nga policia në Elbasan, pasi akuzohet se ka kanosur një person nën pretendimin se i ka dëmtuar reputacionin e tij si arsimtar.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Jagodinë dhe policia sqaron se personi i dëmtuar pretendon se në drejtim të tij është hedhur benzinë nga ana e mësuesit.
“Për kanosjen e shtetasit I. K., ju bëjmë me dije se nga hetimet e mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, rezultoi se autori i dyshuar, shtetasi E. K., 34 vjeç, me profesion mësues, e ka kanosur shtetasin I. K., sepse pretendon se ky i fundit i ka dëmtuar imazhin si mësues.
Më tej, në deklarimin e tij, shtetasi I. K. pretendon se përveç kanosjes me fjalë, 34-vjeçari ka hedhur në drejtim të tij, një bidon dyshohet me lëndë djegëse (benzinë) që e ka marrë në automjet”, bën me dije policia.
Hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa për 34-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.