Një muaj e gjysëm pas fillimisht të procesit mësimor në arsimin parauniversitar në shkollat e Durrësit mungon programi i lëndës së gjuhës së huaj, anglisht. Mësuesit e kësaj lënde janë vënë në një situatë shumë të pazakontë për faktin e vetëm se atyre ende nuk u është bërë i ditur programi me të cilin do të duhet të punojnë. Mësuesi është i detyruar të ketë gati planin mësimor para ditës së parë të shkollës dhe këtë program duhet ta mbështesë në programin e miratuar nga MASH.

Por realisht së paku në Durrës po ndodh krejt ndryshe. Asnjë mësues i lëndës së anglishtes nuk ka plan mësimor dhe kjo për të vetmin fakt se nuk ka ardhur akoma programi në të cilën do të mbështeten për të hartuar planin. Mësuesit futen në mësim dhe bëjnë formalisht lëndën duke mos arritur as të bëjnë vlerësime orë për orë për shkak të specifikës së lëndës në fjalë.

Një sërë problemesh kanë dalë me këtë lëndë, pasi nuk është vetëm mungesa e programit ajo që ka sjellë çrregullim të pariparueshëm. Lënda në bazë të udhëzimeve që janë dhënë duhet detyrimisht të shoqërohet me punën e përditshme në kompjuter dhe me sinjal internet, pasi nxënësi detyrën e shtëpisë dhe detyrimet e tjera duhet t’i bëjë në kompjuter.

Kjo ka vënë në dyshim rezultatin pozitiv të një ndërmarrje të tillë për këtë lëndë, pasi më shumë se 50 përqind e nxënësve nuk e kanë këtë mundësi. Lënda për shkak të specifikës së saj në hartimin e tekstit kërkon detyrimisht zhvillimin e orës në kabinetin e informatikës dhe zhvillimin e detyrës në kompjuter, kërkesë që realisht nuk zbatohet as në masën 15-20 përqind të shkollave. Për të bërë të mundur realizimin e një detyre dhe për të pasur sukses në këtë eksperiment para së gjithash lipset që nxënësi të ketë kompjuter dhe sinjal interneti në shtëpi dhe të ketë aftësi të kënaqshme në njohjen dhe përdorimin e kompjuterit.

Eksperimenti nuk është paraprirë nga një studim serioz dhe rigoroz, gjë që ka vënë jo vetëm në dyshim, por tashmë edhe në rrezik çështjen e zbatimit minimal të kërkesës së programit të lëndës. Mësimi në shkollat e arsimit parauniversitar ka nisur me datë 10 shtator, ndërsa edhe tani në fund të muajit tetor mësuesit nuk kanë programin që përbën bazën e punës së tyre së bashku me tekstin. Fillimisht ky hap ndeshi në kundërshtinë nga prindërit dhe mësuesit për shkak se çmimi i librit ishte i kripur.

Anglishtja kushton 3 mijë lekë apo gati sa kushtonin tekstet e tjera të marra së bashku. Nga ana tjetër, ky libër qe veçuar nga seti i teksteve dhe kjo për arsyen e thjeshtë që të mos ishte pjesë e subvencionit për nxënës që vijnë nga familje të varfëra e që ligji u jep të drejtën e rimbursimit. Librat e anglishtes në shkolla nuk kanë ndjekur rrugën që kanë ndjekur librat e tjerë. Pra nuk kanë ardhur nga shtëpitë botuese tek libraritë dhe që andej në shkolla. Anglishtet janë ngakruar privatisht në Tiranë dhe janë shkarkuar në DAR dhe që aty janë ngarkuar drejtorët e shkollave të merren me shpërndarjen si dhe me vjeljen e lekëve.

MASH nuk ka dërguar ende në shkollat pilot programin e lëndës së anglishtes për arsimin 9-vjeçar. Kur kanë kaluar shtatë javë që nga nisja e vitit shkollor mësuesit vazhdojnë të mos shënojnë asnjë temë në regjistër për shkak se nuk kanë hartuar planin. Përveç çmimit të lartë të librit, zhvillimi i orës së mësimit me tekstin “Tell Me More Education Online” është ndeshur me një sërë vështirësish teknike

Këta të fundit kanë ngarkuar mësuesit e lëndës, ndërsa lekët janë derdhur në një numër llogarie që ua ka rekomanduar DAR. MASH ia ka besuar këtë reformë ish ministrit socialist të arsimit Maqo Lakrorit, i cili ka vizituar disa shkolla në Durrës para nisjes së procesit mësimor. Ai ka punuar me grupe mësuesish të lëndës së anglishtes për t’u mësuar atyre teknikën e re të punës, e cila ishte krejt specifike dhe e panjohur më parë.

Nga DAR nuk ka asnjë përgjigje se kur do të vijë programi duke legalizuar në njëfarë mënyre dështimin e një eksperimenti. Mësuesit e lëndës e kanë pranuar se kjo praktikë e tentuar për t’u futur si model në shkollat e arsimit të detyruar shkollor ka dështuar jo vetëm në organizim por edhe në infrastrukturë. Këtë vit teksti i anglishtes “Tell Me More Education Online” u përfshi në programin mësimor të dy shkollave pilot që u zgjodhën për këtë projekt.

Shumë nxënës, kryesisht ata që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike nuk e kanë marrë ende librin dhe ata gjatë gjithë orës së mësimit në këto 7 javë të nisjes së vitit shkollor kanë qëndruar pasiv në orën e mësimit. Mësuesi nuk e ka mundësinë më të vogël të merret me këtë kontigjent për shkak të specifikës së lëndës, gjë që duket lehtësisht se nuk është marrë në konsideratë në kohën e duhur.