TIRANË, 20 shkurt 2013- Mësuesit e sistemit parauniversitar që do të testojnë njohuritë e tyre për rritjen e pagës, duhet të kenë punuar të paktën pesë vjet në arsim. 

Sipas udhëzimeve të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, testimi do të zhvillohet në Tiranë brenda muajit prill, ndërsa mësuesit duhet të dorëzojnë portofolat e tyre profesionale sipas profileve në Drejtoritë Arsimore Rajonale. 

Në bazë të profilit dhe portofolit profesional të çdo kandidati, Drejtoritë Arsimore do të hartojnë listat me kandidatët që do të hyjnë në këtë provim kualifikimi, të cilat do të bëhen publike gjatë periudhës 15-31 mars. 

Udhëzimet e IZHA përcaktojnë se kandidatët do të vlerësohen për pikët e portofolit të tyre profesional; pikët e mbledhura në pjesën e parë të testit; ato në pjesën e dytë të testit dhe pikët e bonuseve.