Mësuesja dhe aktivistja Ina Kasimati mbylli sytë përgjithmonë, duke humbur betejën me sëmundjen e rëndë prej të cilës vuante prej vitesh.
Ajo ndodhej në Francë deri në fund të muajit shkurt, pasi po përballej për të dytën herë me sëmundjen e rëndë, por mjekët i sugjeruan të kthehej në vendlindje.
Për shkak se sëmundja kishte avancuar dhe nuk mund të shkëputej nga aparaturat, asaj i duhej të kthehej në vendlindje me charter mjekësor, udhëtim i cili kushtonte 17 mijë euro.
Bazuar në llogarinë e hapur në gofoundme, shuma u mblodh brenda pak orësh me kontributin e të gjithë shqiptarëve.
Kujtojmë se dy vite më parë, ishin nxënësit e saj të cilët i bënë thirrje shqiptarëve që të kontribuonin për mësuesen e tyre që të fitonte betejën e dytë me kancerin e gjirit.
“Unë jam Ina Kasimati, shumë më njohin si zysha, disa të tjerë si aktiviste, shumë të tjerë, si njeriun që po lufton fort për jetën. Prej dy javësh jam e shtruar në spitalin onkologjik të Strasburgut, Francë, ku po mbahem me tuba e sondë dhe kthimi në Shqipëri nuk mund të bëhet me avion, por vetëm me çarter mjekësor, pasi nuk mund të shkëputem nga aparaturat.
Ky çarter ka një kosto prej 17.000 eurosh (shtatëmbëdhjetë mijë euro).
Tash pas 2 vitesh kam nevojën tuaj, miqtë e mikeshat e mia, të njohur e të panjohur. Sëmundja e përbindshme në mua ka përparuar, aq sa metastazat kanë bërë dëmtimet e tyre. Besimi im më i fortë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë tek Zoti, dhe tek ju miqtë e mi, të njohur e të panjohur, të cilët para dy vitesh më dhatë mundësinë të kisha shpresë e të luftoja më shumë.
Kërkoj të kthehem në Atdhe, në Vlorën time, dhe kjo dëshirë e imja, u përkrah edhe nga mjeket, të cilët më deklaruan se ilaçi më i mirë për mua është familja ime. Mendja, shpirti im janë optimistë, sepse unë dua të jetoj, unë e dua jetën!
Unë kam besim tek fuqia e solidaritetit tuaj ,që së bashku me birin tim, Amantin, i cili ka qenë forca ime më e madhe e çdo ditë, të vijmë në Shqipëri të sigurt. Dhe ky kthim duhet të bëhet brenda 10 ditëve. Prandaj ju kërkoj me përulje , mirënjohje edhe njëherë të më ndihmoni të vij në Shqipërinë time. Zoti ju bekoftë!”, shkruante ajo në letrën drejtuar shqiptarëve disa javë më parë.