Edhe këtë 7 mars, ashtu si çdo të tillë, secilin vit me rradhë, sytë drejtohen drejt atyre, që çdo herë e më shumë na bëjnë të rimendojmë, rëndësinë e të pasurit dashuri dhe pasion për profesionin që ushtrojmë.
“Të them të drejtën është shumë e lodhshme, shumë e lodhshme. Por kur ke një pasion, një dëshirë të madhe, ajo lodhja nuk llogaritet fare”, thotë për “DurrësLajm” mësuesja Alketa Nikolla.
Ky është “himni” i mësuesve dhe kjo nuk është një metaforë.
Kjo është ajo që pa frikë mund të thuhet se e dëgjojmë nga çdo arsimtar, që për sinonime kanë durim e pasion.

E këtë dëgjuam edhe nga Alketa Nikolla, kur e pyetëm sesi është t’u mësosh violinën fëmijëve prej më shumë se 20 vitesh tashmë.
“Të themi që nuk kemi probleme në punë, nuk mund ta themi dot këtë. Është zanat shumë i vështirë, arti është shumë i vështirë, aq më tepër violina.
Ne po mundohemi shumë, po lodhemi shumë, që si e si të bëjmë brezin të mësojë më shumë, të marrë dije më shumë.
Nuk po themi që të bëhen violinistë e të dalin nesër violinistë, jo. Në fund të fundit, të mësosh një vegël muzikore nuk është gjë e gabuar, është një gjë e shtuar në kulturën e një nxënësi”, thotë ndër të tjera Nikolla.
Për të kjo është një ditë feste, por dhe reflektimi, sepse si një dëshmitare e sistemit në dy kohë të ndryshme, nga monizmi në demokraci, kritikat nuk i kursen.
“Çalojmë në shumë gjëra. Në rradhë të parë janë ato nevoja personale që ka shkolla, siç ka qenë dikur, që kishim vegla, u pajisnin nxënësit me vegla, që sot nuk e kemi, shumica e nxënësve i blejnë vetë veglat.
Pajisja me vegël muzikore është gjëja kryesore, gjëja e parë që mungon. Ato pak fonde që ka shkolla, ku do shkojnë më parë këto fonde? Në mirëmbajtjen e shkollës, apo pajisjen e nxënësve me vegla, gjë që në kohën time nuk mungonte”, tregon ndër të tjera Nikolla.
Me këtë frymë moskonformizmi dhe me këtë dashuri për nxënësin dhe punën, si një shpërblim për punën shumë-vjeçare, ajo u vlerësua në ceremoninë e fundvitit nga ministria e Arsimit me çmimin “Mësues Promotor i Talenteve 2023”.
Një surprizë e madhe dhe e bukur për të, që stafi i “DurrësLajm” uron t’i shtohen, asaj dhe çdo mësuesi, që ushtron profesionin human të mësimdhënies.
K.Gj.





