Njëzet minuta ka zgjatur takimi mes Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ky i fundit mbërriti në Presidencë ekzaktësisht në orën 09:00 dhe u largua në orën 09:23.

Meta dhe Basha diskutuan për krizën politike kur kanë mbetur edhe tre ditë nga votimet e 30 Qershorit dhe palët nuk tërhiqen nga qëndrimet respektive. Pas përfundimit të takimit, Basha nuk bëri asnjë koment për gazetarët.

Kurse Presidenti Ilir Meta, në një reagim në rrjetet sociale, tha se palët politike duhet të tregojnë përgjegjshmëri.

“Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë”.

Takimi mes Metës dhe Bashës vjen pas ftesës zyrtare që Presidenti i ka bërë Kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit konfirmoi takimin me Metën për ditën e sotme. Ndërsa Kryeministri Rama e ka refuzuar publikisht ftesën e Presidentit me arsyetimin “kemi zgjedhje, jam i zënë“.