Tiranë, 29 korrik 2014 – Zbuten gjakrat në mesin e mazhorancës me ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Rebelimi i beftë i pesë deputetëve socialistë, të cilët bllokuan projektligjet e qeverisë me shumicë të cilësuar, duket se është thjesht një sinjal dhe shkundje për koalicionin qeverisës, pa pasoja serioze.

Ka mjaftuar ndërhyrja insistente e Ilir Metës që grupi i pesë deputetëve “rebelë” të zbutet dhe të tërhiqet nga pozicioni fillestar.

Kryeministri Edi Rama, “udhëheqësi” i deputetëve rebelë, Tom Doshi dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, janë shfaqur ditën e diel së bashku në një tavolinë.

Gjithçka ka ndodhur në dasmën e djalit të Filip Çakullit, ku u vu re qartë ulja e deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi në një tavolinë me kryeministrin Edi Rama.

Sipas burimeve, afrimi i Ramës me Tom Doshin në dasmën e djalit të Filip Çakullit është ndërmjetësuar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas negociatave intensive të zhvilluara ditët e fundit.

Në dasmë ishin të ftuar politikanë, ministra, deputetë, gazetarë dhe personazhe të jetës publike, por për shkak të tensioneve mes qeverisë dhe grupit parlamentar të PS, në sy ra afrimi i deputetit Doshi me kryeministrin Rama.

Ky i fundit shoqërohej nga nëna e tij, Aneta Rama, ndërsa Meta dhe Doshi, nga bashkëshortët. Në dasmë ishin të ftuar vetëm tre ministra të kabinetit qeveritar, konkretisht ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/