Presidenti Ilir Meta bën thirrje që të gjitha forcat politike në vend të punojnë që Bashkimi Europian të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët gjatë ceremonisë përkujtimore për 77-vjetorin e Konferencës së Pezës, Meta theksoi se çelja e negociatave është qëllimi i përbashkët. Ky proces, sipas Presidentit, është vonuar për shkak të politikës.

“Peza nuk është vetëm një histori, por edhe një amanet për të ardhmen i atyre që dhanë jetën gjatë luftës. Qëllimi ynë sot i përbashkët është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një proces që antagonizmi i pacipë i politikës e ka vonuar shumë. Sjellja ime si President ka qenë në interes të këtij vendimi”.

Kreu i Shtetit u shpreh se nëse BE do të hapë negociatat me kushte, atëherë duhet të përcaktojë detyra specifike për çdo institucion.

“T’i kërkojmë Bashkimit Europian t’i thotë një PO të çeljes së negociatave Shqipërisë dhe nëse do të ketë kushte për çeljen e tyre, duhet të vendosin kusht për çdo institucoin dhe çdo aktor, në mënyrë që në të ardhmen të jetë e qartë se kush do të jetë pengesë”, deklaroi Presidenti.