19 dhjetor 2013- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ka mbledhur sot në mesditë kryesinë e saj, me përfaqësuesit e saj në qeveri dhe me deputetët e rinj që zëvendësuan ministrat, ndërsa ka theksuar se në qendër të diskutimit do të jetë çështja të buxhetit 2014, angazhimi për shërbimin ndaj qytetareve dhe punën që i pret në kuadër të rrugës integruese të vendit.
“Jam i bindur se grupi parlamentar do të arrijë që të reagojë në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale, por edhe të iniciojë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me modernizimin e institucioneve. Rezultati i angazhimit të kësaj maxhorance të re ku LSI ka një rol të rëndësishëm e domethënës ka qenë progresi i vendit i cilësuar domethënës dhe në mënyrë të vazhdueshme i inkurajuar nga partneret, ku vlerësimi më i qartë u dha nga rekomandimi zyrtarë i KE drejtuar këshillit të BE për dhënien e statusit, që nuk kishte ndodhur më parë, e kemi edhe një rezolutë të parlamentit në mbështetje të këtij statusi.
Ajo që më ka habitur është inkoherenca e ish aleatit tim Berisha për statusin, sepse për 3 vjet dëgjuam fjalime ndaj albanofobëve të Evropës që pengonin marrjen e statusit dhe kemi pak ditë që po dëgjojmë retorike të paparë kundër eurofobeve të Tiranës, përfshirë edhe mua, ndërkohë që është për të ardhur keq që me eksperiencën e tij të gjatë në politikë mund të ishte shumë më i përmbajtur e konstruktive. Harroi që zëvendësministri i tij kërkoi shpalljen non grata të ambasadorit të Holandës në atë kohë. Personalisht e ftoj Berishën të vijë me mua në Holandë e të sqarojmë edhe ata politikanë, se Shqipëria është vërtetë anëtare e përfaqësuesve të samitit mysliman, apo edhe ne organizata te tjera, por Shqipëria në radhë të parë është një vend evropian”, u shpreh Meta.





