Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin “Martir i Demokracisë” të dënuarin politik dhe veprimtarin e spikatur për demokraci dhe të drejtat e njeriut, Isahak Toros Shahnaian (pas vdekjes).

Kreu i Shtetit i akordoi këtë titull me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për shpirtin e pamposhtur dhe sakrificën në mbrojtje të idealeve për liri, demokraci, shtet të së drejtës dhe dinjitet njerëzor, si dhe kontributin e vyer si veprimtar në ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e kauzës të ish-të dënuarve politikë në Shqipëri .”

Isahak Toros Shahnaian ka lindur në Durrës më 01.11.1934 nga prindër armen. Ai është dënuar nga diktatura komuniste që në moshën 17-vjeçare për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e tentativë arratisje.

“19 vitet e qëndrimit të tij në burgjet e Shqipërisë dhe një vit e gjysmë internim flasin me shumë se çdo gjë tjetër për sakrificat e panumërta në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor, por edhe të shpresës për një Shqipëri europiane.”,- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Metës.

MESAZHI I PLOTË I PRESIDENTIT META:

“Privilegj dhe kënaqësi e veçantë, të nderojmë Isahak Toros Shahnaianin, qytetarin e shquar të Durrësit, i cili përfaqëson një prej shembujve më të spikatur të përndjekjes politike, por dhe të qëndresës së admirueshme ndaj diktaturës komuniste.

Isahaku është bir i denjë popullit armen të cilin dallgët e jetës ndër vite e kishin sjellë familjarisht në trojet tona. Si shtetas i Shqipërisë, ai gëzonte respektin dhe vlerësimet e të gjithë shoqërisë durrsake ku jetonte me dinjitet.

Ai është ndoshta i vetmi pjesëtar i bashkësisë armene në vendin tonë, i dënuar në këto përmasa nga diktatura komuniste.

Tashmë ai, nuk është mes nesh dhe shpirti tij fisnik prehet në paqen e përjetshme, por ne ndihemi të detyruar ndaj kujtimit, vuajtjeve, idealeve dhe aktit të tij të lartë të rezistencës antikomuniste!

Pasi martirizimi i një kombi fillon atëhere, kur ai humbet kujtesën historike për shkaktarët e dhunës dhe shtypjes së lirive dhe të drejtave të tij.

Armeno-shqiptari Isahak Toros Shahnaian ishte një shembull i gjallë i qëndresës universale antikomuniste!

Kalvari i vuajtjeve të tij filloi në moshën 17 vjeç për t’u dënuar tri herë rresht për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e tentativë arratisje, dhe për t’u liruar në prag të ardhjes së demokracisë.

19 vitet e qëndrimit të tij në burgjet e Shqipërisë dhe një vit e gjysmë internim flasin me shumë se çdo gjë tjetër për sakrificat e panumërta në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor, por edhe të shpresës për një Shqipëri europiane.

Me forcën e karakterit dhe burrërinë e pashoqe ai përballoi terrorin më të egër duke u konsideruar një nga legjendat e gjalla të qëndresës kundër diktaturës.

Ëndrrat dhe aspiratat e tij u shkatërruan nga falangat e dikaturës sikurse ndodhi me të gjithë shtresat shoqërisë shqiptare dhe pakicat e tjera në këtë vend, ndaj vlerësimi i Isahak është është një detyrim më shumë i shtetit, si dhe vlerësim për vetë pozicionin tonë si qytetarë në përkrahje dhe në mbrojtje të lirisë.

Vlerësimi për Isahak Toros Shahnaianin është dëshmi e respektit, detyrimit dhe nderimit tonë, për gjithë shtresën e ish-të përndjekurve politikë.

Kemi ende shumë për të bërë si shoqëri, për rivlerësimin dhe rikuperimin shpirtëror, kulturor, por edhe ekonomik dhe financiar të kësaj shtrese.

Duke përfunduar fjalën time, do të dëshiroja, që me këtë vlerësim të zbusja sadopak kujtimin e hidhur të një historie të trishtuar, por njëkohësisht të hidhim dritë mbi vlerat e një martiri të vërtetë, si dhe të luteshim që shpirti i tij të gjejë paqen në përjetësi, dhe çfarë ndodhi kurrë më të mos përsërite mbi këtë tokë!”