Presidenti Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” sportistët Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihali për kontributet e shkëlqyera dhe rezultatet e larta në atletikë.
Rauf Dimraj u dekorua nga Kreu i Shtetit “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shkëlqyer në sportin e atletikës, si atlet kampion dhe rekordmen me Klubin Sportiv ‘Dinamo’ si dhe Ekipin Kombëtar. Me mirënjohje për trajnerin e Ekipit Kombëtar të atletikës me rezultate të larta në veprimtaritë ndërkombëtare si dhe hartues i platformës shkencore të edukimit fizik në Shqipëri.”
Ndërsa zoti Pavllo Mihali “Në vlerësim për kontributin dhe talentin si atlet i spikatur i Klubit Sportiv ‘Tirana’ dhe Ekipit Kombëtar; i spikatur në garën e kërcimit me shkop, si dhe kampion dhe rekordmen për vite me radhë i dalluar nga rezultatet e shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Postimi i plotë i Metës:
Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihali janë dy nga rekordmenët më të shquar të atletikës tonë, që me rezultatet e shkëlqyera të arritura ndër vite kanë lartësuar prestigjin dhe dinjitetin e sportit shqiptar në botë.
Mbi 22 herë i shpallur kampion me “Dinamo”-n, fitues i 2 spartakiadave kombëtare dhe i 8 garave ndërkombëtare, më pas trajner i Ekipit Kombëtar, Rauf Dimraj është gjithashtu edhe një nga hartuesit kryesorë të platformës shkencore të edukimit fizik në vendin tonë.
Ndërsa Pavllo Mihali, kampion absolut i “Tiranës” dhe i Ekipit Kombëtar në kërcimin me shkop, është i pari që kaloi me sukses dhe vendosi rekordin kombëtar me lartësinë 5m 21cm, fitues i Medaljeve të Arta në Spartakiadat Kombëtare dhe i 13 Kupave të Republikës.
Me mirënjohje për këto rezultate të shkëlqyera, si dhe për kontributin e shquar të dhënë për zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, pata kënaqësinë t’i vlerësoja me Titullin e lartë dhe të merituar “Mjeshtër i Madh”.
Të mbështetim më shumë atletikën, mbretëreshën e të gjitha sporteve, si një mundësi e shkëlqyer për t’i larguar të rinjtë nga veset dhe orientuar drejt vlerave sportive, por njëkohësisht edhe për të lartësuar imazhin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive.





